Arban Abrashi në fushatë në Tregun e Gjelbër - Foto: LDK

Abrashi: Do ta Kthejmë Tregun me Shumicë në Pronësi të Komunës

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një bashkëbisedimi me tregtarët me shumicë të Prishtinë ka thënë ky treg do të kthehet në pronësi të komunës, në mënyrë që të hapet rruga për investime dhe modernizimin e tij.

“Tregu me shumicë do të kthehet në pronësi të komunës dhe do të shndërrohet në një zonë moderne ekonomike”, ka thënë Abrashi.

Sipas një komunikate të lëshuar nga LDK, kandidati për kryetar të kryeqytetit ka thënë se do të shikojë mundësinë e lidhjes së tregut me autostradën, në mënyrë që të shkurtohet rruga për transportin e mallrave, të ulet kostoja e tyre dhe njëkohësisht të lirohet trafiku nga kamionët që bartin mallra përmes rrugëve të qytetit.

Abrashi ka shprehur pakënaqësinë e tij me kushtet në të cilat punojnë tregtarët e Prishtinës dhe ka prezantuar planin e tij për investime në tregun me shumicë, ku do të përmirësohen kushtet për ruajtjen e mallrave konform standardeve ndërkombëtare, por edhe qasje më të lehtë në rrugët e Prishtinës.

Tregtarët e Prishtinës kanë kërkuar mirëmbajtje më të mirë të tregut, qasje në autostradë dhe ndërtim të insfrastrukturës.

Abrashi ka thënë se problemet e tregut me shumicë do të zgjidhen kur pronësia të kalojë nga Agjencia e Privatizimit tek Komuna e Prishtinës.

“Në këtë mënyrë ne do ta shndërrojmë tregun në një zonë ekonomike, konform standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Abrashi sipas një komunikate të LDK-së.