Arban Abrashi me gratë e Prishtinës - Foto: LDK

Abrashi: Gjysma e Drejtorive në Prishtinë do të Udhëhiqen nga Gratë

Kandidati LDK për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, gjatë një bashkëbisedimi me gratë e kryeqytetit është zotuar publikisht se gjysma e drejtorive të Komunës do të udhëhiqen nga gratë dhe vajzat.

“Nga 13 drejtori sa i ka Komuna e Prishtinës, të paktën 6 do të udhëhiqen nga gratë ose vajzat. Prishtina ka shumë gra dhe vajza të zonja, të cilat dinë të kontribuojnë shumë më mirë se burrat, por atyre ju ka munguar shansi që ta dëshmojnë veten. Në qeverisjen e LDK-së në Prishtinë gratë dhe vajzat do të kenë mundësi të mëdha”, tha Abrashi.

Sipas një komunikate të LDK-së, Abrashi e ka quajtur të papranueshme uljen e subvencioneve për organizatat e grave nga Komuna e Prishtinës, “madje çka është edhe më tragjike, komuna nuk i ka përkrahur as strehimoret e grave”.

“Prioriteti i parë i ynë është hapësira në vendimmarrje për gratë dhe vajzat, sepse e di që ka shumë gra të zonjat. Kemi menduar politikat tjera për gratë duke u bazuar edhe në përvojat në ministri. Kam përkrahur vazhdimisht projektet e grave dhe shoqatat e tyre. Të njëjtën do ta bëjë edhe në komunë”, ka thënë Abrashi.

Ai tha se ka pas raste në Ministri kur ka përkrahur organizata të grave në fushën e IT-së, ose në tekstil dhe të njëjtat sot i kanë nga 20 punëtore.

“Bashkë, ne do të krijojmë kapacitete të mjaftueshme për sistemimin e fëmijëve në çerdhe, kopshte dhe shkolla, publike e private, që t’u mundësojmë nënave e motrave tona të realizojnë potencialin e tyre profesional e personal dhe të drejtën për të qenë qytetare aktive”, ka thënë Abrashi.