AAK Prezanton 100 Anëtarë të Rinj në Obiliq

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) prezantoi të mërkurën në Obiliq mbi 100 anëtarë të rinj të partisë një numër i të cilëve thotë se erdhën në partinë e Ramush Haradinajt nga partitë rivale, LDK dhe Vetëvendosje.

“Si vazhdim i trendit të rritjes dhe zhvillimit të Aleancës, sot në Obiliq këtij subjekti politik iu bashkuan mbi 100 anëtar të rinj nga ky qytet. Një numër i caktuar prej tyre vijnë nga LDK dhe Vetëvendosje”, tha AAK në një komunikatë.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe i nominuari për kryeministër, Ramush Haradinaj, i cili u ka uruar mirëseardhje anëtarëve të rinj.

“Ne si Aleancë, iu urojmë mirëseardhje. Aleanca është dëshmuar për një frymë bashkëveprimi çdo herë kur janë në pyetje interesat madhore të shtetit. Zotohemi që do t’ju jepet hapësirë gjithë të rinjëve për të vepruar dhe kontribuar për zhvillimin e vendit tonë”, tha Haradinaj.

Të aderuarit thanë se kishin ardhur me besimin e plotë në Aleancë, sepse Aleanca dhe lideri i saj, Ramush Haradinaj, u dëshmuan së janë parti me vlera kombëtare dhe janë aleat për interesat e shtetit të Kosovës, thuhet në komunikatë.