Ramush Haradinaj në Vushtrri - Foto: Facebook

AAK: Brenda 10 Muajve, Vushtrria Qyteti më i Pastër në Kosovë

Kandidati i AAK-së për kryetar të Vushtrrisë, Lutfi Bilalli, duke folur për zhvillimin ekonomik tha se parasheh ngritjen e kapaciteteve prodhuese, nëpërmjet projekteve me partneritet publik-privat si dhe subvencione për ndërmarrje të vogla me nga 1000 deri në 7000 euro.

Bilalli paralajmëroi se do të ketë lehtësira në taksa komunale për të gjitha ndërmarrjet me veprimtari prodhuese dhe premtoi krijimin e Zyrës për Investitorët e Huaj, si dhe dhënien e pronave komunale në shërbim të investitorëve.

Teksa ka shpalosur programin e tij qeverisës, Bilalli tha se do të punojë për rritjen e cilësisë në arsim. Ndër të tjera, ai parasheh rikthimin e pedagogut dhe mjekut nëpër shkolla.

Gjithashtu, kandidati i AAK-së theksoi se do të ndërtohen së paku 5 deri 10 shtëpi për familjet e dëshmorëve dhe veteranëve.

Rreth mbrojtjes së mjedisit, ai ka dhënë një premtim të fortë: brenda 10 muajsh, Vushtrria do të jetë qyteti më i pastër në Kosovë.

Ndërsa, kryetari i AAK-së dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se do të angazhohet për zgjidhjen e problemeve si uji i pijes,  kanalizimet e infrastruktura.