Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A do të përfshihet ‘mbyllja’ e shkollave në reformën për arsim të kandidatit të PDK-së për Dragash?

Kandidati për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, nga PDK ka thënë se në këtë komunë nuk është e thjeshtë të niset reforma në arsim, për shkak të numrit të vogël të nxënësve nëpër fshatra.

Ai në “Debat Përnime” ka thënë se nuk mund të premtojë se kjo reformë mund të nisë vitin e ardhshëm, nëse ai vazhdon të qeverisë me Dragashin.

“Është e dhimbshme reforma në arsim dhe është vështirë e implementueshme. Do të bëjmë një analizë, s’mund të them që vitin që vjen do të bëhet por ndoshta pas dy vitesh do të shihet mundësia se si mund të organizohemi. E vërteta është që fëmijët kanë nevojë të jenë më të socializuar. Por s’po është krejt e lehtë me i thënë një fshati që ne do të mbyllim shkollën dhe do t’i transportojmë fëmijët diku tjetër”, tha ai.

Ndërkaq, për çerdhet ai tha se nuk është problem të ndërtohen ato, porse  “problemi është se nga Ministria e Arsimit po duhet të lejohet marrja e punëtorëve të rinj”.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Dragashit, diskutuan në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në emision janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Dragash: Bexhet Xheladini nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shaban Shabani Partia Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini ka marrë 35.7% të votave kurse Shaban Shabani i Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë 32.6%.