Debat Pernime. Foto: Atdhe Mulla

A do të Ketë Nepotizëm dhe Borde Politike pas 11 Qershorit

Subjektet politike paraqitën planet e tyre për zhvillimin e konkurseve të pastra publike për të parandaluar punësimet partiake dhe familjare.

Besnik Tahiri, përfaqësues i koalicionit PDK-AAK-Nisma, u zotua se nëse ky koalicion vjen në pushtet do të kthehet besimi në konkurse publike.

“Besimi në konkurs nuk ekziston në Kosovë, nuk do të ketë në borde njerëz që kanë librezë të partive politike nuk do të ketë punësim me t’njofshëm”, tha Tahiri

E Kujtim Paçaku nga Partia e Re e Romëve shprehu pakënaqësinë e tij për numrin e punësimit të komuniteteve romë, egjiptas dhe ashkali.

“Nëpër borde nuk ekziston asnjë pjesëtar i komunitetit rom, egjiptas dhe ashkali. Më e mira është që ta shmangim nepotizmit”, tha Paçaku.

Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje kritikoi mënyrën e deritanishme të përzgjedhjes së anëtarëve të bordeve publike.

“Është mënyra më e keqe qysh përzgjidhen njerëzit në borde. Ka borde të cilat janë të emëruara politikisht “, tha Pantina.

Ndërkaq Arben Gashi nga koalicioni LDK-AKR shpalosi planin e këtij koalicioni që parasheh politizimin e bordeve për tu thirrur në përgjegjësi politike

“Zgjidhja e LDK-së është komplekse, e para ka hyrë në funksion në ATK dhe Dogana. Zgjidhja e dytë është të merret përgjegjësi politike konkrete për çështje të caktuara. Duhet mu bo politike disa e disa me qenë të pavarura”, tha Gashi.

Kjo zgjidhje u konsiderua kontroverse nga Besnik Tahiri i koalicionit PAN që tha se kjo do të shkaktojë kaos politik.

Partia Demokratike e Kosovës ka munguar edhe në debatin e nëntë me radhë dhe të fundit tematik në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 qershorit.

Në debatin e sotëm Pernime të moderuar nga Jeta Xharra subjektet pjesëmarrëse diskutojnë për integritetin publik dhe përgjegjësinë politike.

PDK, si partia më e madhe në Kosovë në të gjitha zgjedhjet e pas shpalljes së pavarësisë, ka zgjedhur ta vë në pikëpyetje integritetin dhe përgjegjësinë e vet karshi rivalëve në garën zgjedhore dhe publikut.

Deri tani, PDK nuk ka marrë pjesë në asnjë nga debatet zgjedhore meqë ka kërkuar hapësirë më të madhe për koalicionin në të cilin merr pjesë me AAK-në dhe NISMA-n.

Kërkesa e PDK-së është vlerësuar e jashtëligjshme nga Komisioni i Pavarur për Media.

Debatin mund ta ndiqni drejtpërdrejt në linkun e mëposhtëm: