Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A do të ketë mësim gjitëditor në Vushtrri? Këto janë premtimet e kandidatëve për kryetar

A do të ketë mësim gjitëditor në Vushtrri? Këto janë premtimet e kandidatëve për kryetar

Tema e arsimit i ka përplasur në Debat Pernime kandidatët për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizin nga PDK dhe Xhafer Tahirin nga LDK-ja.

Fillimisht kandidati Xhafer Tahiri (LDK) tha se shtatë shkolla në Vushtrri janë të gatshme për mësim gjithëditor.

Ai ka shtuar se për shkak të pandemisë, nuk është arritur që të zbatohet mësimi gjithëditor.

“Në momentin kur kushtet pandemike lejojnë një gjë të tillë, ne do të kemi mësimin gjithëditor. Së pari të gjithë mësuesit e kanë detyrim të qëndrojnë 8 orë në shkollë. Është kontratë. Po ashtu përmes ligjit do të kërkohet të rritet stafi dhe do të angazhojmë asistentë për t’i ndihmuar fëmijët pasdite për t’i kryer detyrat, aktivitetet dhe programet”, tha ai.

Tahiri shtoi se do ta vazhdojnë ta përsosin shujtën ditore.

“Bashkë me kryeministrin Kurti që në mandatin e parë kemi biseduar për të ndërtuar një kampus të ri të shkollave në Vushtrri për shkak se ka migrim të familjeve nga fshati në qytet. Kemi në plan edhe ndërtimin e dy çerdheve të tjera”, shtoi ai.

Ndërkaq, kundërkandidati i tij nga PDK-ja Ferit Idrizi ka thënë se idetë e Tahirit sipas tij, bien poshtë të gjitha.

“Këto idetë e tij bien menjëherë sepse nuk janë të realizueshme. Nuk e besoj që ka bashkëpunim me kryeministrin Kurti sepse nuk ia ka shkuar në takim kur e ka thirrë në kohë pandemie me intervenu, e ka injoruar totalisht. E dyta, sa i përket shujtës ditore ju ka sjell kifle nga Malisheva që shumica kanë përfunduar në shporta të mbeturinave”, tha ai.

Idrizi tha se ai nuk premton mësim gjithëditor, por ngritje të cilësisë së arsimit përmes mekanizmave të ngritjes së cilësisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit.

“Do t’i aktivizoj të gjitha garat brenda shkollës, në të gjitha lëndët, për shkollat e mesme të ulëta dhe të larta”, tha ai.

Kandidati i PDK-së ka shtuar se të gjithë mësimdhënësit që do të jenë të angazhuar në gara, do të paguhen, si formë motivimi.

Tutje Tahiri i LDK-së tha se përmes një vendimi kanë shpërblyer nxënësit më të mirë të komunës.

Ndërkaq, Idrizi iu drejtua atij “dëgjoje shokun tënd”, ndërsa Tahiri i tha se “nuk të kam shok”.

“Çka më ke, a më ke armik”, tha Idrizi.

“Nuk të kam shok, të kam bashkëqytetar. Armik nuk të kam”, i tha atij Tahiri.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Vushtrrisë, diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Vushtrri: Ferit Idrizi nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i PDK-së Ferit Idrizi ka marrë 34.8% të votave kurse Xhafer Tahiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 33.8% të votave.