Zgjedhjet parlamentare në Ukrainë: Fitore e madhe e krahut proeuropian

Tre muaj pas fitores së tij në zgjedhjet presidenciale kur edhe u bë kryetitull në mediat botërore, presidenti aktual i Ukrainës, ish komediani Volodymyr Zelenski, shenoi edhe një fitore të madhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën të dielen.

Përmes kësaj fitoreje, votuesit ukrainas kanë folur – përsëri – dhe mesazhi i tyre duket të jetë i zëshëm dhe shumë i qartë: Ata duan ndryshime.

Me një rezultat të këtillë presidenti ukrainas duket i vendosur të ndryshojë në mënyrë dramatike edhe peizazhin politik të Ukrainës.

Sipas rezultateve paraprake të publikuara të hënën nga Komisioni Qendror Zgjedhor i Ukrainës, Partia “Shërbëtori i Popullit” lider i së cilës është pikërisht presidenti aktual, Vladimir Zelensky duket sa ka arritur të fitojë një shumicë të mundshme në zgjedhjet parlamentare.

Volodymir Zelensky duket se do të jetë udhëheqësi i parë ukrainas që nga rënia e komunizmit që do të fitojë një shumicë të përgjithshme në parlamentin ukrainas.

Sipas Komisionit Qëndror Zgjedhor të Ukrainës, partia e tij e sapoformuar ka fituar rreth 43 për qind  të votave në listën e partive, shumë më tepër vota në krahasim me disa parti tjera që duhet të kalojnë pragun prej 5 për qind për të fituar vende në parlamentin Ukrainas.

Megjithëse rezultatet akoma nuk janë përfundimtare me rreth 70 për qind  të votave të numëruara deri dje, ditën e hënë, duket se presidenti Zelensky nuk do të ketë nevojë të hyjë në ndonjë koalicion për të formuar qeverinë e re sepse një fitore e këtillë mund tësigurojë më shumë se 240 vende në parlamentin ukrainas.

Deri pak muaj më parë Zelensky ishte një njeri i panjohur politikisht në Ukrainë mirëpo ishte shumë i njohur si ylli i një serie televizive në të cilën ai luante rolin e presidentit të shtetit.

Nëse rezultatet e deritanishme qëndrojnë kësisoji, Zelensky do të jetë presidenti i parë që nga pavarësia e Ukrainës në vitin 1991, që do të ketë mbështetjen e një shumicë parlamentare. Dhe, ky rezultat i jep atij një mandat të qartë kur është fjala për trajtimin e problemeve më të mëdha të Ukrainës: Korrupsionin, vështërësitë ekonomike dhe një luftë e zjarrtë me separatistët pro-rusë në lindjen e vendit.

Partia e dytë me numrin më të madhe të votave ka partia-platforma pro-ruse e opozitës  e quajtur “For Life” e cila ka marrë 13% të votave.

Partia “Eurosolidarity” e ish-presidentit Poroshenko e cila ishte deklasuar nga Zelensky në zgjedhjet presidenciale në Maj të këtij viti, është radhitur si e treta me rreth 8.4 për qind  të votave të fituara ndërsa partitë e kryesuara nga politikanja me përvojë, Yulia Tymoshenko (Batkivshchyna) me 8 për qind dhe partia Holos e yllit të rokut ukrainas, Svyatoslav Vakarchuk, me 6.1 për qind të votave, gjithashtu kanë fituar ulëse në kuvendin ukrainas.

Që nga pavarësia, Ukraina ka qenë e shqetësuar nga kleptokracia dhe trazirat politike. Ajo ka qenë dëshmitare e dy revolucioneve të mëdha popullore: Revolucioni pro-demokratik i Portokalltë 2004-2005 dhe revolucioni Maidan i vitit 2014, që çoi në rrëzimin e presidentit pro-rus Viktor Janukoviç.

I zgjedhur triumfalisht si President, Zelenskiy e ka shpërndarë Parlamentin menjëherë pas inaugurimit të tij dhe ka shpallur zgjedhjet e parakohshme për të përfituar nga elani i fitores së tij.

Partia e Zelenskiyt synon ndryshime të mëdha dhe pastrimin e vendit nga korrupsioni i përhapur gjithandej.

Popullariteti aq i madh i Zelenskyt erdhi si rezultat i një zhgënjimi të madh ndaj politikës ukrainase.

Zelensky ka premtuar përshpejtimin e reformave në mënyrë që ta mbajë kryeqytetin ukrainas, Kijevin, në rrugën drejt integrimit në BE dhe NATO, premtim ky i cili ka marrë mbështetje të madhe nga qendrat e vendosjes në Evropë.

Si president, Zelensky do të duhet të luftojë me një fqinj të fuqishëm, në konflikt tashmë disavjeçar për Krimenë – territorin ukrainas të aneksuar nga Rusia – të armatosur me arsenal bërthamor, e udhëhequr nga Presidenti rus Vladimir Putin.