Zgjedhjet në Serbi Ndikojnë në Dialogun Politik

Zgjedhjet e paralajmëruara parlamentare në Serbi do të kenë ndikim në ritmin e takimeve të nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi, por jo edhe në atë teknik.

Dren Zeka, këshilltar i Ministres për Dialog, Edita Tahiri, tha për KALLXO.com se nuk pret që dialogu teknik të preket nga ethet zgjedhore në Serbi.

“Prej që ka filluar dialogu disa herë kemi pasur zgjedhje si në Kosovë ashtu edhe në Serbi takimet e nivelit teknik kanë vazhduar në nivel ekspertësh për zbatim të marrëveshjeve ato kanë pasur impakt vetëm në nivelet e takimit politik” tha Zeka.

Sipas Zekës për çështjen e kodit telefonik shumë shpejt do të ndodhë një takim në nivel teknik.

“Ne besojmë që i kemi përmbushur të gjitha obligimet tona për zbatimin e marrëveshjes dhe poashtu u kemi bërë të qartë Bashkimit Evropian që kodi shtetëror për Kosovën duhet sa më shpejtë të realizohet”, tha ai.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel, Kosova duhet ta ketë kodin telefonik +383 por aplikacionin për ta marrë këtë kod në ITU duhet ta dorëzojë Austria.

Ndërsa për kërkesën e Prishtinës që në kuadër të dialogut me Serbinë gjatë vitit 2016 të bisedohet edhe për demarkacionin e kufirit me Serbinë, Zeka tha se demarkacioni është obligim ndërkombëtar që është në dobi të të dyja vendeve të diskutohet.

“Ne në vitin 2014 e kemi dorëzuar një listë me tema për të cilat kemi interes që të ngriten në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë në mesin e atyre temave është edhe çështja e demarkacionit në mes të dy shteteve sepse ne konsiderojmë që demarkacioni është një obligim ndërkombëtar dhe përmbushje e standardeve evropiane. E njëjta vlen edhe për Kosovën edhe Serbinë që kufijtë t’i kenë të definuara dhe të pranuara ndërkombëtarisht”, tha Zeka.