Foto: BIRN

Zgjedhjet e parakohshme në Greqi – fitore e opozitës

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat u mbajtën në Greqi këtë të dielë janë karakterizuar me një fitore të partisë opozitare të qendrës së djathtë Demokracia e Re, e udhëhequr nga Kyriakos Mitsotakis.

Në bazë të rezultateve të deritanishme, Demokracia e Re ka marrë 39.7 % të votave përballë partisë Syriza e cila aktualisht është në pushtet, e kryeministrit aktual Alexis Tsipras e cila ka dalë në vendin e dytë me 31.6 % të votave. Tsipras ka pranuar humbjen dhe i ka uruar fitoren liderit të partisë Demokracia e Re.

Pas rezultatit që konfirmon fitoren, në fjalimin si kryeministër i ri i vendit Kyriakos Mitsotakis, 51 vjeçar, u tha mbështetësve të tij se tashmë ka një mandat të fuqishëm për ndryshime në Greqi dhe se do të jetë kryeministër i të gjithëve duke aluduar në atë se grekët janë shumë pak për të qëndruar të ndarë. Ai po ashtu tha se e mirëpriti rezultatin me një ndjenjë të “modestisë dhe respektit” duke e parë atë si një fitore për të gjithë, pa marrë parasysh bindjen politike.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin shpallur nga kryeministri aktual pas humbjes në zgjedhjet për parlamentin evropian, të cilat u mbajtën në muajin maj.

Në vitin 2015, Tsipras dhe partia e tij Syriza kishin larguar nga pushteti Demokracinë e Re pas një fushate të suksesshme kundër politikave të kursimit që kishin prekur grekët për vite me rradhë.

Partia Demokracia e Re ka fituar një shumicë të drejtpërdrejtë që i siguron asaj 158 ulëse nga 300 ulëse sa ka gjithsejt parlamenti grek, më shumë se dyfishi i përfaqësimit aktual, përfshirë këtu edhe 50 vende tjera shtesë që i takojnë automatikisht partisë fituese. Partia e dyte SYRIZA ka fituar 86 vende. Partia e tretë renditet PASOK me 22 vende. Ndërsa partia ultra-nacionaliste Agimi i Artë, e cila njihet si një ndër partitë ekstremiste në Greqi dhe e cila shpesh ka sulmuar  emigrantët shqiptarë dhe ka përdorur gjuhë të urrejtjes, ka mbetur jashtë parlamentit pasi që nuk ka arritur ta kalojë pragun elektoral.

Pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 57% – një nga shifrat më të ulta në dekada.

Mitsotakis vjen nga një dinasti e vjetër politike në Greqi. Ai është djali i ish-kryeministrit Konstantinos Mitsotakis. Motra e tij, Dora Bakoyannis ka qenë kryebashkiake e Athinës dhe më vonë u bë ministre e Jashtme. Ai është shkolluar në Stanford dhe Harvard në SHBA.

Mitsotakis është një politikan liberal i cili është zotuar se si kryeministër i ri i Greqisë ai do të zvogëlojë taksat dhe do të krijojë një mjedis miqësor për biznesin që do të tërheqë investime të reja shumë të nevojshme si dhe do të krijojë vende të reja pune. Sipas Trade Economics, papunësia në Greqi gjatë muajit Mars të këtij viti ka qenë mbi 18 %.