Zotohet Osmani: Kurrë koalicion me PDK-në

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur e sigurtë që nuk ka shans për një koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Osmani në DebatPernime po e prezanton programin e saj qeverisës, ndërsa është pyetur edhe për koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve.

Në pyetjen e Jeta Xharrës se çfarë kushti do ta detyronte të bënte koalicion me PDK-në, Osmani tha se nuk ekziston ky kusht.

“Asnjë çështje nuk e arsyeton koalicionin me ta.Kur them kurrë me PDK do të thotë kurrë me PDK”, tha Osmani.

Ajo shtoi se një koalicion i mundshëm pas zgjedhjeve do të ishte me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kujtojmë se LDK qeverisi në koalicion me PDK-në nga viti 2014 deri në vitin 2017

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor. Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partite, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse. Të ftuar në debat janë: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli, Arben Gashi, Hykmete Bajrami dhe Xhavit Rexhaj. Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.