Zotimet e LDK-së për drejtësinë

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Driton Selmanaj i ftuar në Debat Pernime se brenda vitit të parë të qeverisjes do të unifikohet databaza e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës.

Ndërsa, rreth rishikimit të pasurisë që nga 1999, Selmanaj ka thënë se nuk ka asnjë arsye që kjo të mos ndodhë edhe pse Ligji për Kompetencat e Zgjeruara të rishikimit të pasurisë e parasheh që pasuria të rishikohet vetëm për dhjetë vjet e fundit.

Jeta Xharra: Kur kanë me u unifiku databazat e Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës?

Driton Selmanaj: Brenda vitit të parë

Jeta Xharra: Kur kemi me i pa intervistat në polici prokurori e gjykatë kanë me u kry me video e audio incizim?

Driton Selmanaj: Është proces logjistik dhe besoj brenda gjashtë muajve

Jeta Xharra: Kur keni me bo mekanizëm të kontrollit me GPS për personat në arrest shtëpiak dhe me masa?

Driton Selmanaj: Nuk e di sepse është logjistike

Jeta Xharra: Cili është buxheti që keni me ia aprovu KPK-së dhe KGjK-së?

Driton Selmanaj: Do të kujdesemi maksimalisht që kërkesat të aprovohen si të tilla në mënyrë që të mos cenohet pavarësia funksionale e tyre, normalisht do të injorohen kërkesat e luksit.

Jeta Xharra: A keni me i përkrahë kërkesat e KPK-së dhe KGjK-së për shtimin e stafit?

Driton Selmanaj: Po, do ta përkrahim nëse është e nevojshme.

Jeta Xharra: A keni me i përkrahë kërkesat për shtimin e ekspertëve financiarë në hetuesi?

Driton Selmanaj: Po dhe do të ofrojmë trajnime për zyrtarët e drejtësisë

Jeta Xharra: A premtoni se Kodi i Procedurës Penale do të parasheh suspendimin e zyrtarëve me aktakuza?

Driton Selmanaj: Duhet të rregullohet me ligje të tjera sepse edhe Ligji për zgjedhje duhet të rregullohet në mënyrëqë personat me aktakuzë të suspendohen.

Jeta Xharra: Kur do ta kemi Kodin Civil, projekt ky që ka fillu para gati 4 vjetëve?

Driton Selmanaj: Brenda dy viteve, por duhet të rishikohet.

Jeta Xharra: A pajtoheni që aktakuzat duhet me qenë publike që nga dorëzimi i tyre në gjykatë?

Driton Selmanaj: Faza e hetimeve duhet të jetë sekrete, duhet të jetë publike aktakuza kur shpallet dhe evtëm ato që i ndalon ligji do të kujdesemi që më i mbajt të tilla.

Jeta Xharra: A pajtoheni që Kodi i Procedurës Penale duhet me mundësu që rastet kur Supremja konstaton se gabimisht janë liru të akuzuarit për korrupsion, duhet me pas rigjykim?

Driton Selmanaj: Po ndodhë paradoks, aktgjykimet e Gjykatës Supereme nuk janë këshilldhënëse, janë detyruese, imperative, duhet të ndodhin patjetër.

Jeta Xharra: A pajtoheni që prokurorët që ju dështojnë aktakuzat e korrupsionit duhet të përfundojnë automatikisht në vlerësim të performancës?

Driton Selmanaj: Jo vetëm prokurorët dhe të gjithë njerëzit e sistemit të drejtësisë të rishikohen për performacë.

Jeta Xharra: A ka me u hetu prejardhja e pasurisë prej vitit 99 apo veç 10 vjetët e fundit.

Driton Selmanaj: Nuk ka asnjë kuptim dhe të mos ketë retoraktivitet , prej 2000.

Jeta Xharra: Sa ka me zgjatë procesi i shitjes së pronës së konfiskuar?

Driton Selmanaj: Pas aktgjykimit final do të shpallen me ankand publik dhe varet a ka të interesuar a jo sepse mund të ketë ndonjë gjë.

Jeta Xharra: A keni me i njoftë vendimet e gjykatave paralele sipas marrëveshjes së Brukselit apo keni me e rishiku marrëveshjen?

Driton Selmanaj: S’kam informata për këtë proces. Por, nuk guxojmë të njohim vendime të institucioneve paralele.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Driton Selmanaj dhe Arben Gashi- Lidhja Demokratike e Kosovës, Burim Ramadani dhe Selim Selimaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.