Zotimet e AKR-NISMA-PD për shëndetësinë

Në #DebatPernime, mbrëmjen e sotme, Mirlinda Sopi nga koalicioni AKR-NISMA-PD, dha premtimet e saj dhe të koalicionit që përfaqëson sa i takon rregullimit të sistemit të shëndetësisë.

Sopi tregoi se kur do të ndalohen barnat pa banderola, blerja e qetësuesve pa receta e kur do të implementohen dhomat e observimit dhe rehidratimit.

Jeta Xharra: A keni me i nalë barnat e Serbisë mos me u shitë në qendër të Prishtinës pa banderola si dhe me u shit barnat nga Kina e India pa banderola?

Mirlinda Sopi: Do t’i ndalim brenda vitit të parë.

Jeta Xharra: Deri kur kemi me mujtë me ble antibiotik, qetësues e antidepresantë pa receta të mjekut?

Mirlinda Sopi: Ne do të mundohemi që të mos lejojmë që të blihen pa recetë.

Jeta Xharra: A keni me e unifiku pagesën për participim në krejt Kosovën se në një komunë ma shtrejt e në tjetrën ma lirë?

Mirlinda Sopi: Po normalisht që po.

Jeta Xharra: Kur keni me i implementu dhomat e observimit dhe rehidrimit në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Kosovë?

Mirlinda Sopi: Brenda dy vjeçarit të parë.

Jeta Xharra: Sa ka me qenë koha e reagimit të emergjencës? Dhe kur ka me u përpilu plani për reagime emergjente në secilin rajon që me u ditë ku kanë me qëndru ekipet mjekësore në raste të emergjencave?

Mirlinda Sopi: Po fillimisht do të përpilohet plani brenda mandatit, sepse e dimë që në Prishtinë reagimi emergjent është gjashtë minuta ka qenë shumë efikas shpresoj që në të gjithë Kosovën, do të veprojmë njësoj.

Jeta Xharra: A guxoni me ja ndalë kontratën kompanive private që nuk po e pastrojnë QKUK-në?

Mirlinda Sopi: Apsolutisht po.

Jeta Xharra: Deri kur nuk kemi më i pa më specializantet duket protestuar?

Mirlinda Sopi: Unë vet jam përfaqësuese e tyre dhe ju garantoj që brenda gjashtë mujorit të parë do të mundohemi të përpilojmë strategjinë për specializantë dhe specialist në mënyrë që mos të i lejojmë me ik jashtë vendit.

Jeta Xharra: Kur ka me hy në funksion Sistemi Informativ Shëndetësor?

Mirlinda Sopi: Në dy vjeçarin e parë.

Jeta Xharra: A kemi me pasë njëherë mundësi me u transplantu organe? Mijëra euro shkojnë jasht veq pse na nuk kemi kapacitet një veshkë me e transplantu.

Mirlinda Sopi: Fillimisht duhet të krijojmë infrastrukturë ligjore, ligjet në Kosovë vazhgiten, brenda mandatit do të nis edhe transplantimi.

Jeta Xharra: Kur kemi me pasë përkujdesje paliative në krejt territorin e Kosovës?

Mirlinda Sopi: Normalisht që po, është kompetencë e Komunave, brenda mandatit katër vjeçar.

Jeta Xharra: Hulumtimet tona kanë gjetë që së paku në 5 klinika private ua kanë mundësu abortin, edhepse vetëm një klinikë private dhe QKUK ka licencë për një gjë të tillë. Qysh dhe kur ka me u vendos nën kontroll kjo veprimtari?

Mirlinda Sopi: Edhe këto do t’i ndalim edhe me rritjen e numrit të inspektorëve, por edhe monitorimit të këtyre inspektorëve që të mos lejojmë që të bëjnë inspektimin vetëm sa për sy e faqe. Do ta bëjmë brenda dy vjeçarit të parë.

Jeta Xharra: Kur ka me u aktivizu përkujdesja dhe mjekimi shtëpiak për pacientët të cilët nuk kanë nevojë për me u shtri në spital?

Mirlinda Sopi: Përmes rritjes së bashkëpunimit me qendrat e mjekësisë familjare, brenda katër vjecarit të qeverisë sonë do të rrisim bashkëpunimin me komunat dhe do të rrisim numrin e qendrave për përkujdesje.

Jeta Xharra: Kur ka me pasë kontrolle sistematike dhe diagnostifikim të hershëm të sëmundjeve tek fëmijët në qerdhe dhe në shkolla? A keni me e bo me ligj që krejt me kalu nëpër këto kontrolla?

Mirlinda Sopi: Vetë kam qenë në Komunë të Prishtinës, e kemi bo në Prishtinë dhe në nivel të Kosovës do ta bëjmë brenda vitit të parë sepse nuk është procedurë e komplikuar.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Mirlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.