VV tregon si do të financohet banka zhvillimore

Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje është duke e reklamuar në masë të madhe krijimin e një banke zhvillimore.

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosjes, Hekuran Murati ka treguar se si kjo bankë do të themelohet dhe si do të financohet.

Ai ka treguar se kapitali fillestar i kësaj banke do të jetë 50 milionë euro.

“Kapitali fillestar do të jetë kapital shtetërorë, kapitali i themelimit të bankës që mundet me qenë dikun rreth 50 milionë euro. Ndërsa financimi i vazhdueshëm do të jetë prej shitjes së letrave të borxhit të garantuara nga shteti. Pra, në këtë mënyrë krijohet financimi i vazhdueshëm dhe krijohen mjetet për të lëshuar kredi për zhvillim të industrive të caktuara, si fokus do të jetë bujqësia dhe industria ushqimore me synim të zëvendësimit të imporit”, ka thënë në Hekuran Murati në Debat Pernime.

Ai ka thënë se kjo bankë zhvillimore mund të filloj brenda vitit të parë ose të dytë.

“Kredia e parë kur do të lëshohet, është vështirë të thuhet, por po besoj që duke i marrë parasysh procedurat, ku duhet marrë licencë nga banka qendrore, por mundet me qenë brenda vitit të parë ose brenda vitit të dytë”, tha tutje Murati.

Murati ka thënë se norma e interesit mund të jetë 2 deri në 2.5%.

“Se sa do të jetë përqindja e interesit, kjo dot ë bëhet në koston e huamarrjes, e cila aktualisht për shtetin është nën 2%, shto aty tani edhe një marzhë të administrimit edhe mund të jetë 2 deri në 2.5 % norma e interesiy, pra po flasim për kredi të butë, me afat të gjatë të kthimit dhe me grace periudhë”, tha tutje ai.

Murati ka folur edhe për idenë se kush do ta menaxhojë këtë bankë.

“Kjo bankë zhvillimore do të menaxhohet nga profesionistëve. Ka praktika të mira në botë, ka edhe mërgimtarë të mirë të Kosovës, e kemi shoqatën e bankiereve të Zvicër, që janë shumë të suksesshme të cilët se kishin pasë problem me menaxhu një bankë të tillë në Kosovë”, tha Murati në #Debatpernime.

Në ciklin e #Debatpernime përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë:  Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma/AKR/PD, Magbule Shkodra dhe Bajram Hasani nga koalicioni AAK/PSD, Besa Gaxherri nga LDK, Hekuran Murati dhe Mentor Hyseni nga VV, Lulzim Rafuna nga PDK, Asllan Kryeziu dhe Kenan Aliu nga PDAK

Debati transmetohet dhjetë ditë fushatë zyrtare nga ora 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.