Vjosa Osmani: Me para të vjedhura po duan t’i blejnë votat e qytetarëve

“Kur fitojmë ne, fiton Kosova. Shpëton prej krimit e korrupsionit, prej zhvatjes së buxhetit dhe prej shantazhit ndaj bizneseve”.

Kështu ka thënë në tubimin në Ferizaj kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministre, Vjosa Osmani.

Ajo potencoi se LDK-ja do ta fitojë mbështetjen e shumicës së qytetarëve të Ferizajt, sikur edhe gjithë Kosovën për ta dërguar PDK-në në opozitë. “Me PDK-në në opozitë, çkapet shteti, ndërsa organeve të drejtësisë u mundësohet zbatimi i rendit dhe ligjit”, tha Osmani.

Ajo shtoi se programi i LDK-së mbështetet në ekspertizë, ndërsa oponentët tanë po provojnë ta blejnë besimin e qytetarëve.

“Ata po synojnë ta marrin besimin e qytetarëve të Kosovës me para. Me para të vjedhura po duan t’i blejnë votat e qytetarëve të Kosovës. Jam e bindur se nuk do t’ia dalin ta blejnë vullnetin e lirë të qytetarëve të Kosovës dhe perspektivën e fëmijëve tanë”, tha ajo.

Duke folur për planet për copëtimin e Kosovës, Vjosa Osmani tha se LDK-ja nuk e diskuton me askënd, për asnjë çmim, shtetësinë, sovranitetin e integritetin territorial dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

“Ne mund ta bëjmë këtë sepse ne nuk jemi të shantazhueshëm. Ne nuk japin tokë për asnjë interes personal. As për lëkurën e askujt. Prandaj, më 6 tetor, përcaktohuni për LDK-në”, tha tutje ajo.

Duke shpalosur programin zhvillimor, Osmani tha se ka hartuar program konkret zhvillimor për Kosovën, me prioritete të qarta.

“Zhvillimin ekonomik nëpërmjet mbështetjes së sektorit privat që gjeneron punë e punësim. Përkrahjen e biznesit privat, siç janë ndërmarrësit e fshatit Greme që po eksportojnë edhe në vendet e Bashkimit Evropian dhe inkurajimi i diasporës për të investuar në Kosovë”, shtoi ajo.