Foto: KALLXO.com

Vjosa Osmani: Më 6 tetor do të çlirohemi nga ata që e vunë në lojë miqësinë tonë me ShBA dhe shtetet mike

Me prioritet investimin në rini dhe përmirësimin e gjendjes në Kosovë, Lidhja Demokratike Kosovës ka mbajtur tubimin qendror në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

Në këtë tubim, kryetari i  LDK-së Isa Mustafa tha se partia e tij njihet për vendime të mëdha për vendin.

“Jemi mbajtur unikë si LDK, që jemi familja më e madhe e Kosovës. Kemi marrë vendime të mëdha por të rëndësishme për Kosovën, kemi ofruar kandidatin më të mirë për Republikën e Kosovës, dhe besoj që me përkrahjen e qytetarëve do të dalim partia e parë në Kosovë sepse kemi dije për ta qeverisur Kosovën”, tha Mustafa.

Duke iu referuar deklaratave se kandidatja e LDK-së për kryeministre nuk mund të marrë vendime, Mustafa siguroi qytetarët se Vjosa Osmani do të jetë kryeministre e vendimeve të mëdha.

“Ka edhe të tillë qe shqetësohen se kryeministrja jonë e ardhshme a do të mund të marrë vendime. Unë ju them që kryeministrja e ardhshme do të marrë vendime të mëdha dhe do ta ketë përkrahjen e plotë të LDK-së për këto vendime”, tha Isa Mustafa.

Ndërsa kandidatja e LDK-së për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh e bindur në fitoren e saj në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Jam sot para të gjithëve me zemrën plot dhe me bindjen e thellë se nuk ka asgjë në botë që mund ta ndalë rrugën e fitores. Ne si popull kemi kaluar nëpër sfida të cilat i kemi kaluar falë presidentit historik Ibrahim Rugova si dhe falë sakrificës dhe luftës së popullit tonë për liri”, tha ajo.

Duke folur për plan-programin qeverisës, Vjosa Osmani tha që LDK-ja ka një plan modern.

“LDK në aleancë me ju më 6 tetor do t’i thotë lamtumirë shpërdorimit dhe keqqeverisjes në vend. Atë ditë do të çlirohemi nga ata që e vunë në lojë miqësinë tonë me ShBA-të dhe shtetet mike. Ne sot dalim përpara jush me një program politik dhe qeverisës modern, me një program që fokusohet në interesat e qytetarë, ne dalim përpara jush me një ekip të përkushtuar vizionar dhe të ndershëm”, tha ajo.

Kandidatja e LDK-së për kryeministre në planin e saj qeverisës nuk la pa përmendur edhe liberalizimin e vizave, si dhe kthimin e shpresës tek të rinjtë.

“Programi ynë do t’ia hapë Kosovës dyert e mbyllura, qeveria do ta shpërthejë izolimin e Republikës se Kosovës që e kemi si pasojë e politikanëve kryeneçë. Për LDK-në siguria publike, rendi dhe ligji janë domosdoshmëri, do të punojmë për institucione të pavarura të drejtësisë. LDK-ja në këto zgjedhje e ka vënë në qendër familjen dhe rininë”, tha ajo.

“Investimi në rini është prioritet i yni, prandaj qeveria e Kosovës do të jetë partneri i rinisë sonë të mrekullueshme. Fokusi i investimit publik do të kalojë nga asfalti, ku e vjedhin, në shëndetësi për qytetarët tanë”, tha ajo.