Vetëvendosje premton sigurime shëndetësore dhe 120 milionë euro investime në shëndetësi

Sonte në #DebatPernime partitë politike prezantojnë planet për shëndetësinë në mandatin e ardhshëm.

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Arben Vitija ka thënë se partia e Albin Kurtit do të ndërtoj sistem.

“Kryesorja është ndërtimi i sistemit, pa ndërtim të sistemit asnjë prej tyre nuk realizohet. Në prioritet e ndërtimit të sistemit do të jetë sigurimet shëndetësore publike të paraprira nga sistemi informativ shëndetësor dhe protokolleve shëndetësore. Kjo ka fillu me ndërtu sistemin”, ka thënë Vitija në #DebatPernime.

Ai, poashtu premtoi edhe rritjen e buxhetit për sektorin e shëndetësisë dhe luftim të korrupsionit në këtë sektor.

“Rritja në investime në shëndetësi 120 milionë euro gjatë mandatit. Pacientëve tanë dhe  punonjësve shëndetësor nuk do të u mungojnë kurrë barnat, lista esenciale do të buxhetoret në atë mënyrë që  për rezultat të kemi barnat më të mira dhe më cilësore të mundshme. Me zero tolerancë ndaj korrupsionit”, deklaroi tutje Vitja.

“Do të jetë edhe avancimi i shërbimit gjinekologjik. Higjiena orale poashtu do të jetë prioritet i qeverisjes tonë”, tha ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Arben Vitija (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.