Veseli në tubimin në Gjakovë flet për "shqetësimin" e Isa Mustafës

Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratikë e Kosovës, Kadri Veseli, ka vazhduar edhe sot tubimet me qytetarët për të treguar planin dhe vizionin e partisë së tij.

Gjatë ditës së sotme, Veseli ka mbajtur takim me qytetarët e Gjakovës, nga ku ka thënë se 6 tetori është datë vendimtare për vendin tonë.

“Vetëm edhe tre ditë na ndajnë nga momenti vendimtar, nga momenti i fitores, kur ju do të vendosni për të ardhmen tuaj katërvjeçare”, ka thënë Veseli.

Ai në këtë tubim ka folur përsëri për të parin e partisë kundërshtare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafën, ku ka komentuar shqetësimit të cilin sipas tij e ka treguar Isa Mustafa.

“Isa Mustafa paska deklaruar shqetësimin se unë qenkam shumë pro amerikan, nuk është Kadri Veseli pro amerikan, ne duhet të jemi të lumtur kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në Kosovë, duhet të jemi të lumtur kur presidenti i vendit më demokratik në botë dërgon bashkëpunëtorët e tij  në një vend të vogël si Kosova jonë, kjo është një pasuri për Kosovën”, ka thënë Veseli.

Kandidati për kryeministër të vendit nga PDK, Kadri Veseli, dje ka postuar fotografi në Facebook me Matthew Whitaker, i cili është ish kreu i Drejtësisë i administratës së presidentit Donald Trump.

“Me mikun tim, Matt Whitaker, u ndalëm për të ngrënë në Burger King, që ta shijojmë ushqimin amerikan edhe te ne. Kjo copëz e vogël e Amerikës në Kosovë është bërë një prej ndalesave të mia më të preferuara”, ka shkruar Veseli.

Përmes një njoftimit, PDK ka njoftuar se Whitaker ka ardhur në Kosovë për mbështetjen e Kadri Veselit.

“Njëri ndër njerëzit e besueshëm të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Matthew Whitaker, i cili për katër muaj kishte shërbyer si Ministër i Drejtësisë në Administratën e Presidentit të SHBA-së, tashmë ka arritur në Kosovë. Whitaker kishte zëvendësuar kryeprokurorin Jeff Sessions, ku me vite kishte punuar si shef i stafit të tij”, thuhej në njoftimin e PDK-së.

PDK ka njoftuar sot se Whitaker në Kosovë ka ardhur për të mbështetur liderin e PDK-së, Kadri Veselin, në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e partneritetit me Amerikën.

“Matthew Whitaker është i zëshëm në mbështetje të iniciativës së presidentit Donald Trump për luftën globale kundër korrupsionit. Edhe pas daljes nga Administrata Trump, Matthew Whitaker, pothuajse çdo ditë paraqitet nëpër mediat amerikane duke mbrojtur presidentin Trump”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Pas këtyre deklaratave, ka reaguar ambasada e SHBA-ve të cilët kanë thënë që kjo ambasadë nuk mbështet ndonjë kandidat.

“Qeveria e SHBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Në tubimin e mbajtur në Gjakovë, Veseli ka premtuar se qeverisja e tij është me dhe për qytetarët, për të cilët ka thënë se do të kenë përkrahjen, e me fokus të veçantë rinia për të cilët ka premtuar se do të përkrah çdo iniciativë të tyre në sektorin e inovacionit dhe teknologjisë së informacionit.