Vendimi i PZAP-së: Nuk ka rinumërim të votave

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim për të hedhur si të palejuara ankesat e paraqitura nga PDK, LDK dhe nga koalicioni NISMA-AKR-PD që të bëhet rinumërimi i të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit.

“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, në seancën e mbajtur më datë 08.10.2019, ka shqyrtuar ankesat: Anr.350/2019, të paraqitur nga Subjektit Politik PDK, Anr.351/2019, e paraqitur nga Subjekti Politik LDK dhe Anr.353/2019, e paraqitur nga Koalicioni NISMA-AKR-PD, të datës 07.10.2019, me të cilën kanë kërkuar që të Urdhërohet KQZ-ja, që të bëjë rinumërimin e të gjitha fletëvotimeve në të gjitha vendvotimet e Republikës së Kosovës dhe ka marrë vendim për te hudhur si te palejuara ankesat e larte theksuara”, thuhet në komunikatë të PZAP-së.

KALLXO.com raportoi sot së Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe koaliconi NISMA-AKR-PD kanë paraqitur një ankesë në PZAP, sa i përket numërimit të votave të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kryesuesi i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Mulë Desku tha për KALLXO.com se kanë pranuar ankesë nga këto parti se në formularët e regjistrimit të rezultateve ka pasur parregullsi.

Por ai nuk ka mundur ta interpretojë ankesën e tyre si kërkesë për rinumërim të fletëvotimeve.

“S’kanë kërkuar rinumërim por Nisma, PDK dhe LDK kanë paraqitur ankesë se në formularët për regjistrimin e rezultateve të subjekteve politike, janë regjistruar për partitë e tjera politike, nuk mund të them që kanë kërkuar rinumërim, por për faktin që e kanë paraqitur këtë ankesë, ndoshta ashtu po i bjen por ata nuk kanë thanë as unë s’po e them, ata e kanë evidentuar këtë parregullsi në regjistrimin e votave të tyre, pra në vend të shënimit të votës së partisë së tyre, i kanë regjistru në subjektin tjetër politik”, ka thënë Desku për KALLXO.com.

Por ish-anëtari i KQZ-së nga LDK dhe kandidati për deputet i kësaj partie, Florian Dushi, tha për KALLXO.com se kanë kërkuar nga PZAP që të rinumërohen votat pasi, sipas tij, është bërë gabim në regjistrimin e rezultateve për shkak të shtypjes së gabuar të formularëve.

“Po është e vërtetë që kemi kërkuar rinumërim të votave nga PZAP-i. Arsyetimi është lëshimi që e ka bërë Komisioni Qendror I Zgjedhjeve në prodhimin e formularëve dhe prandaj është renditja e subjekteve politike, përshkrimi I votave në formularë është bërë gabimisht sepse një subjekt politik nuk ka pasur asgjë, rubrikë ku me ja shënu votat dhe kështu është zbritur radha dhe ju kanë shënu gabim dhe meqë të dhënat futen prej atyre formularëve në sistem dhe sistemi e prodhon rezultatin final, kjo nënkupton që mundet me qenë rezultat jo korrekt. Kemi kërkuar rinumërimin dhe me u përshkru sërish në formularët që duhen me u prodhu me numrat dhe subjektet politike ashtu sikur në zgjedhje”, tha Dushi

Ndërkaq, AAK e Ramush Haradinajt është pajtuar me rezultatin.

Kërkohet rinumërim i votave të 6 tetorit