Propozimet interesante të Duda Baljes

Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka nisur misionin për të marrë mandatin e saj të katërt në Kuvendin e Kosovës.

Në prioritetet e saj është lidhja e qytetarëve të komunitetit boshnjak me qeverinë ndërsa në temat e mëdha ajo dallon shumë nga politikanët e tjerë të partive të mëdha.

“Do të vazhdoj punën që kam bërë deri mëm sot, natyrisht komuniteti boshnjak është prioritet për mua, e do punoj që të vazhdojnë të jetojnë këtu dhe të kenë një jetë sa më kualitative” thotë Balje në intervistën me 46 pyetje për KALLXO.com.


Ajo nuk synon post ministror por pret që angazhimin e saj ta vazhdojë si deputete.

Detyra e parë që e pret si deputete nëse fiton votat e mjaftueshme, është buxheti për vitin 2020, andaj edhe propozimet e para të Duda Baljes do të ndërlidhen me amendamentet që kanë të bëjnë me buxhetin e vitit të ardhshëm.

Mungesat e komunikimit ndërmjet komuniteti boshnjak dhe qeverisjes aktuale, është problem për të cilin Balje thotë se do të angazhohet në mandatin e saj të ardhshëm, gjithashtu duke mos harruar edhe papunësinë e komuniteti boshnjak që jetojnë jo vetëm në qytetin e Prizrenit por edhe në rajonin e Zhupës.

Personat me aftësi të kufizuara do të kenë përkrahje më të madhe të Baljes nëse zgjidhet deputete.

Ambienti në sytë e Duda Baljes

Balje është kundër ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr, ndërsa tregon që është kundër që për ngrohje nëpër shtëpi gjatë dimrit të përdoret qymyri.

Edhe pse është kundër përdorimit të qeseve plastike, Balje mendon se procesi i largimit të qeseve të plastikës nga tregu nuk do të ndodh shumë shpejt.

Ndërsa e pyetur për Telekomin e Kosovës, për Kallxo.com Balje është për shitje të Telekomit, “ duke e marrë parasysh situatën financiare aty, mendoj që gjendja do të përmirësohej pas shitjes”. Gjithashtu Duda Balje tha se është për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit.

Balje është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë, ndërsa shumë punë dhe probleme do të ketë kryeministri i ardhshëm me taksën.

“Mendoj që taksa është e mirë për ne dhe politikën e brendshme, por jo e mirë për politikën e jashtme“, theksoi ajo.

Absolutisht kundër mbylljes së universiteteve u shpreh Duda Balje, dhe sipas saj profesorët dhe menaxhmenti i universitetit duhet që gjatë gjithë vitit të punojnë me forca të përbashkëta për të përmirësuar cilësinë “ e jo të biem para aktit përfundimtar siç e kemi pasur herën e fundit dhe praktikisht t’i lëmë studentët tonë në rrugë pa pasur mundësi për ndonjë alternativë tjetër.

Ajo është kundër monopolit në homologim.

Të drejtat e njeriut

Duda Balje tha se është për bartjen e shamive nëpër shkolla ndërsa përgjigjet shkurt se është kundër martesave në mes gjinive të njëjta.

E pyetur për listat e veteranëve, Balje si kryetare e Komisionit për të drejtat e njeriut ka thënë se për rastin e listave ka probleme të shumta.

“ Kam dëgjuar se ekziston një numër i madh i veteranëve të cilët me të vërtetë kanë qenë veteranë dhe nuk gjenden në listat, andaj mendoj që ato lista duhet të rishikohen dhe ata që e meritojnë të jenë në ato lista duhet të jenë aty”, tha Balje.

Fushatën e saj Balje thotë se vetë po e financon, dhe se aktualisht është e papunë për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, dhe se e njëjta nuk ka punë tjetër pos funksioni të deputetes që e ka tash e 3 mandate.

Të hyrat mujore të Baljes është paga si deputete dhe se njëjta thotë se vjen nga një familje e pasur dhe është edhe e martuar te një familje e pasur, andaj kjo edhe nuk i ka paraqitur ndonjëherë problem.

Sipas deklarimit të Agjencinë kundër korrupsion pasuria e paluajtshme prek vlerën afro gjysmë milion euro, ndërsa Balje në emër të saj ka të deklaruar një banesë në vlerë 80 mijë euro, ndërsa në emër të bashkëshortit shtëpinë dhe dy lokale në vlerën totale prej 430 mijë euro.

Herën e fundit kur ka qenë e sëmurë Balje ka qenë në spital publik, të cilët pastaj e kanë udhëzuar për në Shkup, por edhe nëse në të ardhmen ka ndonjë sëmundje Balje thotë se do t’i drejtohet spitaleve publike.

Fëmijët e saj Balje thotë se shkojnë në shkolla publike, por jo në shtetin e Kosovës.

Një çështje që ka hapur debat ka qenë gjiganti Trepça.

Sipas Baljes më mirë do të ishte nëse Trepça mbetet nën menaxhimin e shtetit të Kosovës, ose edhe të bëhet një kombinim në mes asaj shtetërore dhe private.

Vota e Baljes për buxhet do të kushtëzohet me projektin për ndërtimin e shtëpive për rastet sociale.

Takimet me qytetarët Balje thotë se do t’i ketë të përditshme, “sepse puna e deputetit është që çdo ditë të jetë në kontakt me qytetarët”.

Në lidhje me importimin e veturave Balje mendon se duhet të ndalohet hyrja e secilës veturë që është më e vjetër se 15 vite.

Duda Balje ka thënë në intervistën për Kallxo.com se do të japë dorëheqje nëse i ngritet aktakuzë, ndërsa nuk tregoi saktë nëse e voton një qeveri nëse kryeministri ka aktakuzë por thotë se “ shpresojmë që këtë më nuk do ta përjetojmë dhe nuk besoj që do të jem në pozitë për të bërë diçka të tillë”.

Balje ka treguar se e voton një qeveri që do të kishte mbi 15 ministri ndërsa sa i përket zëvendësministrave Balje nuk përcakton numër të saktë, por se zëvendësministrat duhet të caktohen varësisht nga puna që e bëjnë.

Duda Balje nuk do t’i votojë për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim.

Në fund të intervistës për Kallxo.com, Balje thotë se fondet e partisë dhe faturat do të jenë transparente.