Kush po ia financon fushatën zëvendësministrit që synon të bëhet deputet?

Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj, i është futur garës për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, derisa në një intervistë për KALLXO.com, ka thënë se kauza e tij nëse merr mandatin do të jetë zhvillimi ekonomik.

Ai ka premtuar mbështetja edhe për fëmijët me nevoja të veçanta dhe për familjet e varfra.

 

 

Xhemajlaj në këtë intervistë ka shtuar se kontributi i tij do të jetë edhe në sferën e arsimit, pastaj ruajtjes së vlerave, kulturës dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

Kandidati i Nismës, është zotuar se do të jap dorëheqje nga posti i deputetit, vetëm nëse ndonjë aktakuzë ndaj tij, konfirmohet si e bazuar.

Xhemajlaj, i cili ka qenë kandidat për kryetar të Drenasit nga Nisma Socialdemokrate, si dhe është dhe kryetar i degës së kësaj në këtë komunë, ka folur edhe për problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët e komunës së tij.

“Unë vij prej një komune ku problem kryesor është uji, ku ende nuk ka furnizim 24 orë ujë. Pastaj është çështja e investitorëve se nuk kemi fare investitorë. Kjo menjëherë ndërlidhet me çështjen e punësimit, pra është papunësia”, është përgjigjur ai për KALLXO.com.

Por cilat janë taksat që sipas tij duhet ulur dhe ngritur në Kosovë?

“Mendoj se ka një mori të taksave që duhet të ulen ndërsa taksat që duhet të rriten janë kryesisht mallrat e luksit siç janë pijet alkoolike, duhani dhe produktet tjera që janë, më shumë llogariten si produkte luksi. Kryesisht ato që duhet të ulen janë qumështi, vaji, mielli, për konsum ditor”, ka thënë ai.

Kandidati nga Nisma, thotë se është kundër ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re” me qymyr, kundër djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit dhe kundër përdorimit të qeseve të plastikës.

Ai është përgjigjur edhe në pyetjen nëse është për apo kundër shitjes së Telekomit të Kosovës.

“Nëse nuk fillon me u përmirësu performanca, duhet të shite”, ka theksuar Xhemajlaj.

Kandidati për ligjvënës është përgjigjur se është plotësisht kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë, përderisa ka folur edhe për taksën 100 përqind ndaj produkteve serbe e boshnjake.

“Jam për mbajtjen e taksës deri në normalizim të raporteve, gjegjësisht njohje të Kosovës”, ka shtuar ai.

Ai është zotuar se do të mbajë vetëm një vend të punës, si dhe thotë se fushatën elektorale po ia financojnë familjarët dhe vetë ai.

Xhemajlaj ka dhënë qëndrime dhe për importin e makinave të vjetra në vend.

“Këtu do të kisha bërë një ndërhyrje, sepse nuk është në pyetje se cilit vit do të jenë, se është bërë gabim kjo punë, por a i plotëson kushtet që të jetë në komunikacion. Mund të jenë makina që janë të vitit 2018, por faktikisht bëjnë një ndotje të jashtëzakonshme të ajrit. Mund të ketë makina që i kanë 20 vjet vjetërsi por për shkak të kontrollimit të mirëfilltë, të lirimit të gazrave dhe gjendjes teknik është gjendje  shumë të mirë për qarkullim”, ka vlerësua kandidati për ligjvënës.

“Nuk do të kisha dhënë vit. Duhet të lejohen edhe 15 edhe 20, por që i plotëson kushtet edhe teknike, po edhe që në lirimin e gazrave i plotëson kriteret që janë caktuar”, është përgjigjur ai.

Kjo është intervista e plotë me kandidatin për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Isa Xhemajlaj:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse boheni deputet?

Isa Xhemajlaj: Po kryesisht kauza do të jenë zhvillimi ekonomik, punësimi dhe kauza tjera që janë në nivel të vendit.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Isa Xhemajlaj: Do të qëndroj deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Isa Xhemajlaj: Mendoj se ka një mori të taksave që duhet të ulen ndërsa taksat që duhet të rriten janë kryesisht mallrat e luksit siç janë pijet alkoolike, duhani dhe produktet tjera që janë, më shumë llogariten si produkte luksi. Kryesisht ato që duhet të ulen janë qumështi, vaji, mielli, për konsum ditor.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Isa Xhemajlaj: Për momentin nuk kam najfar plani diçka. Kryesisht në strukturë të zhvillimeve ekonomike, për ulje të taksave për investitorë të huaj.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Isa Xhemajlaj: Unë vij prej një komune ku problem kryesor është uji, ku ende nuk ka furnizim 24 orë ujë. Pastaj është çështja e investitorëve se nuk kemi fare investitorë. Kjo menjëherë ndërlidhet me çështjen e punësimit, pra është papunësia.

KALLXO.com: A ka gjasa me e ndërru partinë ku jeni tash?

Isa Xhemajlaj: Jo.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Isa Xhemajlaj: Nëse preket interesi i vendit, po.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Isa Xhemajlaj: Kryesisht fëmijët me të meta dhe të varfrit.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Isa Xhemajlaj: Po sigurisht që ka shumë për të bërë këtu. Nuk mund të përgjithësojmë menjëherë, por marrja e masave efektive të cilat do të ndikonin në përmirësimin e ambientit, edhe të tokës edhe të ajrit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Isa Xhemajlaj: Me qymyr, jo.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Isa Xhemajlaj: Jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Isa Xhemajlaj: Kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Isa Xhemajlaj: Nëse nuk fillon me  u përmirësu performanca, duhet të shitet.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Isa Xhemajlaj: Jam për ndërtimin e rrugës së shpejt. Jam për autostradën, por kjo duhet të specifikohet në çfarë niveli, çfarë lloji.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Isa Xhemajlaj: Plotësisht kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Isa Xhemajlaj: Jam për mbajtjen e  taksës deri në normalizim të raporteve, gjegjësisht njohje të Kosovës.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Isa Xhemajlaj: Jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Isa Xhemajlaj: Çdo universitet që nuk akreditohet dhe nuk plotëson kushtet, duhet të mbyllet. Jma për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Isa Xhemajlaj: Kundër monopolit.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Isa Xhemajlaj: Kjo është çështje e dëshirës individuale, preferencë individuale. Sipas meje për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Isa Xhemajlaj: Jam për.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Isa Xhemajlaj: Jam për.

KALLXO.com: A je PËR apo KUNDËR ridizajnimit të skemës për veteranët e luftës me të cilën është abuzuar?

Isa Xhemajlaj: Nuk ka ridizjanim këtu. Gjykata e ka marr punën e vet dhe duhet ta kryej punën e vet. Duhet të merren masa që të shqyrtohet edhe njëherë ligji edhe të këqyren venet ku është gabu.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Isa Xhemajlaj: Duhet të hiqet gjithsesi. Është vonuar shumë.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Isa Xhemajlaj: Vetë dhe familjarët.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajt gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Isa Xhemajlaj: Kam vetëm një ven pune dhe do të mbaj vetëm një vend të punës.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Isa Xhemajlaj: Të hyrat mujore të mijat janë 1280 euro. Pasuria është diku rreth 150 mijë euro, të luajtshme dhe të paluajtshme.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Isa Xhemajlaj: Po. Një pjesë nuk e kam të regjistruar as në emër temin për shkak të mungesave ligjore. Mendoj qe kurdo që do të jenë mundësitë reale që komuna do të më ofrojë mundësinë për me regjistru.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Isa Xhemajlaj: Herën e  parë dhe të fundit, gjithë në publik.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Isa Xhemajlaj: Sigurisht do të shkoj në publik përveç nëse nuk i plotëson kushtet atëherë duhet me dal jashtë vendit.

KALLXO.com: Fëmijët tuaj a janë në shkolla publike apo private?

Isa Xhemajlaj: Në shkolla publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Isa Xhemajlaj: Faktikisht unë i kam fëmijët e vegjël dhe një e kam pa punë. Nuk besoj që duhet me ndiku për punësim se edhe ashtu s’është interesuar. Edhe ashtu është veç gruaja.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbet nën qeverisjen shtetërore?

Isa Xhemajlaj: Gjithsesi duhet të jetë aset shtetëror.

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Isa Xhemajlaj: Nuk e di se cili projekt do të vjen aty, por çdo projekt qe vjen që është në dëm të intersit të vendit, ka me e kushtëzu.

KALLXO.com: Cili ka me qenë projekti/puna me të cilën keni me lanë gjurmë/trashëgimia juaj si deputet?

Isa Xhemajlaj: Veçanërisht kontributi im do të jetë në sferën e arsimit, pastaj ruajtjes së vlerave, kulturës dhe tërësisë territoriale të Kosovës.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Isa Xhemajlaj: Varësisht prej nevoja. Mund të jenë 80, 90, 100.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajt gjatë një viti/mandati?

Isa Xhemajlaj: Takimet me qytetarë janë me qindra-mijëra. Brenda një viti mund të them se i mbaj 20 ose 30 edhe jashtë fushatës, sepse jetoj në qat ambient ku janë edhe votuesit.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Isa Xhemajlaj: Këtu do të kisha bërë një ndërhyrje, sepse nuk është në pyetje se cilit vit do të jenë, se është bërë gabim kjo punë, por a i plotëson kushtet që të jetë në komunikacion. Mund të jenë makina që janë të vitit 2018, por faktikisht bëjnë një ndotje të jashtëzakonshme të ajrit. Mund të ketë makina që i kanë 20 vjet vjetërsi por për shkak të kontrollimit të mirëfilltë, të lirimit të gazrave dhe gjendjes teknik është gjendje  shumë të mirë për qarkullim. Nuk do të kisha dhënë vit. Duhet të lejohen edhe 15 edhe 20, por që i plotëson kushtet edhe teknike, po edhe që në lirimin e gazrave i plotëson kriteret që janë caktuar.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu në komisionet ku keni me qenë pjesë?

Isa Xhemajlaj: Nuk e di. 50, 30.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritet aktakuzë?

Isa Xhemajlaj: Nëse aktakuza konfirmohet si e bazuar, jap dorëheqje.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Isa Xhemajlaj: Nëse aktakuza është e konfirmuar për kryeministrin, po.

KALLXO.com: A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Isa Xhemajlaj: Po.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Isa Xhemajlaj: Varësisht prej ministrive, secila ministri duhet ti ketë nga 2 zëvendësministra, ne e kmi një realitet tjera krahasura me vendet tjera sepse jemi në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve që duhet tu rezervohen vende serbe pastaj përnjëherë lindin kërkesat edhe të etnive tjera që duhet ti kenë. Kështu që secila ministri duhet ti ketë 2 zëvendësministra.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Isa Xhemajlaj: Kurrë.

KALLXO: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Isa Xhemajlaj: Gjithsesi.

KALLXO.com: A keni me i hap dokumentet/faturat në kuvend/ministri?

Isa Xhemajlaj: Sa herë t’duhet.