Foto: KALLXO.com

Tahiri tregon vendimin e AKK-së për konkursin e noterëve

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri në #DebatPernime tregoi se para disa javëve Agjencia Kundër Korrupsionit ka marrë vendim dhe ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë se në procesin e testimit të noterëve të rinj konkurs ky i hapur nga MD nuk ka pasur konflikt interesi.

“AAK para disa jave e ka dhanë vendimin e tyre dhe ka thënë se në këtë rast nuk ka pasur konflikt interesi.  Pra është shmang konflikti i interesit dhe pikërisht për këtë arsye secili bartës i lëndës, si në provimin e jurisprudencës si në provimin e noterisë e ka një zëvendës të vetin ku e autorizon në momentin që e paraqet konfliktin e interesit”, tha ai.

Tutje Jeta Xharra pyeti nëse të gjithë anëtarët e komisionit kanë paraqitur konfliktin e interesit para fillimit të testimit dhe intervistimit të atyre që aplikuan për noterë.

“Po të gjithë e kanë paraqit konfliktin e interesit, nuk kanë votu se nuk kanë pasur kompetencë. Shkresa e AKK për konflikt nuk e kemi publiku, sepse e kemi lanë me publiku pas zgjedhjeve në mënyrë që ose me politizu agjencinë në këto kohë zgjedhjesh”, tha ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burim Ramadani, Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.