Si hapen vendet e reja të punës, sipas Valdrin Llukës?

Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik dhe kandidati për deputet nga koalicioni Nisma-AKR-PD, Valdrin Lluka, në Debat Pernime ka dhënë shpjegimet sesi koalicioni i tij synon t’i hapë vendet e reja të punës.

“Vendet e punës gjenerohen duke i thithur më shumë investime të huaja, duke përkrahur bizneset vendore  dhe duke e rritur eksportin”, ka thënë ai.

“Ne si koalicion i kemi paraparë 10 shtylla kryesore që i ndihmon këtyre tri pikave. Thithja e investimeve të huaja përmes parqeve të bizneseve. Objektet jepen për 10 vite pa qira. Në muajt e parë të qeverisjes do ta heqim tatimin në fitim që vjen si rrjedhojë e eksportit”, deklaroi Valdrin Lluka.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.