Rugova nga VV: Kultura po trajtohet si bira e fundit e kavallit

Kandidati i Vetëvendosjes, Ylli Rugova në #DebatPernime tha gjatë mbrëmjes së sotme se kultura në Kosovë është neglizhuar për 20 vite.

“Kultura është taman duke u trajtuar si bira e fundit e kavallit edhe kjo është për shkak të 20 vjet neglizhimit që i është bërë kësaj fushe, tash është koha me ia kthy vëmendjen edhe përnime me bo të dinjtietshme kulturën”, tha ai.

Tutje ai shtoi se cili do të jetë plani i VV për kulturën në Kosovë.

“Tash qysh funksionojmë momentalisht, nuk është si një shtet i pavarur sa i përket kulturës, nuk i kemi institucionet bazë të një shteti të pavarur dhe na duhet urgjentisht të marrim hapa në këtë drejtim.  Na vyen gjithsesi që të kemi teatrin e operës dhe baletit edhe besoj që brenda 4 viteve të para do ta kemi teatrin e operës dhe baletit, na vyn ta kemi edhe muzeun e historisë së natyrës që do të jetë brenda afatit të parë dhe na duhet të trajtojmë muze më të vegjël në qendra të ndryshme për shembull në Prishtinë është në Kodrën e Trimave që duhet të ndërtohet gjithsesi”, tha ai.

“Gjithashtu do të bëjmë hapa të mëtutjeshëm në drejtim të politikave që i kemi ndërtuar në Komunën e Prishtinës, aty kemi pasur buxhet të limituar dhe kompetenca të limituar tash do të kemi kompetenca dhe buxhet më të madh. Projekti si manifesta do t’i shtyjmë më tutje. Në vitin 2022 Prishtina do të jetë nikoqire e një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore të artit në Evropë, është njëra ndër tri ngjarjet kryesore dhe do të jetë për herë të parë në Ballkan”, shtoi ai.

Ai madje tha edhe se kësaj ngjarjeje duhet të jepet shumë fokus.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Shyqiri Bytyqi dhe Besa Luzha nga koalicioni AAK-PSD, Xhavit Rexhaj dhe Faton Peci nga LDK, Yll Rugova dhe Venera Llunji nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Gashi e Muzafer Shala nga PDK dhe Rexho Kojiq e Anesa Çollakoviq, NDS (Nova Demokratska Stranka/Partia e re Demokratike), Vesel Makolli nga AKR-NISMA.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.