Ramush Haradinaj prezanton vizionin e koalicionit AAK-PSD për qeverisje

Si pjesë e një serie të #Debatpernime me kandidatët për kryeministër në programin televiziv të BIRN-it Jeta në Kosove, Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, diskutoi për planet e politikave të koalicionit dhe premtimet për administratën e ardhshme së bashku me një ekip kandidatësh që konkurrojnë për ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Të premten në mbrëmje, Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër nga koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, AAK, dhe Partia Social Demokratike, PSD, i përmblodhi planet e tij për ekonominë, sigurinë, arsimin dhe gjyqësorin, duke shfaqur përparësitë e tij kryesore nëse koalicioni i tij do të formonte qeverinë.

Zgjedhjet e parakohshme të tetorit u shkaktuan pasi Haradinaj dha dorëheqjen në korrik për shkak të ftesës për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke deklaruar se ai nuk mund të jetë kryeministër i Kosovës dhe i dyshuar njëkohësisht.

I pyetur nëse do të japë dorëheqje përsëri nëse Dhomat e Specializuara do ta ftonin për herë të dytë, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përgjigj: “Edhe nëse më thërrasin 100 herë, unë do të jap dorëheqjen 100 herë”.

Qeveria e mëparshme e koalicionit e udhëhequr nga Haradinaj u kritikua për numrin e madh të më shumë se 80 zëvendësministrave, një rekord në historinë bashkëkohore të Kosovës. Numri i ministrive gjithashtu ishte i madh duke shënuar rekord në një 21 sosh.

Përderisa shumë prej rivalëve të tij janë zotuar të reduktojnë shpenzimet qeveritare duke ulur numrin e ministrive dhe zëvendësministrave, Haradinaj dukej i rezervuar  për të bërë një zotim të tillë. “Nuk është e lehtë të sjellësh Kosovën në 15 ministri,” tha ai.

Më herët gjatë kësaj jave, Besnik Tahiri, kandidat për deputet nga ky koalicion, propozoi që një qeveri AAK-PSD të përbëhej nga 15 ministri, një propozim për të cilin ai përsëriti në këtë debat, me Haradinaj dukshëm duke shprehur mospajtimin e tij nga prapa.

Ndërsa Haradinaj duket se nuk pajtohet me reduktimin e numrit e ministrive, ai është i prirur të rrisë numrin e grave të punësuara në ekzekutiv, duke premtuar se një e treta e qeverisë së tij të ardhshme do të përbëhej nga gra.

Zhvillimi ekonomik

Kandidati i AAK-PSD nënvizoi tri shtyllat të cilat ai beson se do të rrisin ekonominë e Kosovës, e para prej të cilave është përmirësimi i mbledhjes së taksave. Sidoqoftë, Haradinaj nuk ka sqaruar hollësitë e sakta se si mund të rriten të ardhurat tatimore, vetëm se mbledhja më e mirë e taksave do të jetë bazamenti i zhvillimit ekonomik.

Shtylla e dytë përfshin dhënien e tokës publike për kompanitë afariste për të rritur produktivitetin e tyre, duke i pajisur këto “zona industriale” me kanalizime, energji elektrike dhe lehtësira të tjera. Shtylla e tretë ndërkohë është e ndërtuar mbi marrëdhëniet midis qeverisë dhe sektorit privat dhe nevojës për të ulur procedurat burokratike për ata që janë pjesë e bizneseve. “Ne duhet të punojmë me më shumë efikasitet dhe t’i largojmë të gjithë ata elementë burokratikë që mund të krijojnë korrupsion”, tha Haradinaj.

Për sa i përket shpenzimeve, ish-kryeministri duket se mbetet i përkushtuar për të investuar në infrastrukturë, konkretisht në ndërtimin e autostradës 91 kilometërshe të Dukagjinit, autostradë kjo që do të lidhte Istogun me Prizrenin. Ministri në largim për infrastrukturë, Pal Lekaj, ka deklaruar më parë se ky projekt vlerësohet të kushtojë rreth 1 miliardë euro, megjithëse vetë Haradinaj e kundërshton këtë shifër.

Njoftimi një lidhje me këtë projekt zgjoi reagime të mëdha, me kritika duke argumentuar se Kosova tani ka prioritete tjera pasi shpenzimet publike gjatë dekadës së fundit janë dominuar nga ndërtimi i dy autostradave. Të gjitha partitë politike, përveç AAK-së së Haradinajt, përfshirë edhe partnerët e tyre të koalicionit PSD-së, kanë shprehur rezerva në lidhje me përfitimet ekonomike nga shpenzimi i një miliard eurove tjera për asfalt.

Ish kryeministri u pyet në lidhje në lidhje me autostradën, se pse ndërtimi i kësaj autostrade ishte prioritet marrë parasysh faktin se renovimi i rrugës ekzistuese vlerësohet të kushtojë vetëm 150 milionë euro. Haradinaj u përgjigj se të dy opsionet mund të dorëzohen. “Ka mundësi  që ne nuk do të zgjerojmë rrugët ekzistuese, megjithatë autostrada është një projekt tjetër,” tha ai.

Ish kryeministri, megjithatë, pranoi kritikat ndaj qeverisë së mëparshme për rekordin e tyre për punësime nepotiste. “Keni të drejtë, ka disa rekrutime që nuk duken sikur janë bërë në bazë të kritereve profesionale apo shkollimit [kualifikimit]. Unë nuk e mohoj këtë”, tha ai.

Haradinaj theksoi se ish drejtori i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, i cili dha dorëheqjen pasi u përfshi në një skandal për lidhjet e tij politike do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, dhe jo i partisë së tij. Sidoqoftë, militantët të AAK-së janë pjesë e posteve të shumta drejtuese në ndërmarrje të tjera publike, veçanërisht në Telekomin e Kosovës, siç është raportuar nga BIRN.

Investimi në gjyqësor

Haradinaj gjithashtu foli edhe për planet e koalicionit të tij në mbështetje me më shumë mjete financiare për sektorët e gjyqësorit dhe të sigurisë në Kosovë. “Një qeveri e kryesuar nga unë do të rrisë ndihmën financiare për institucionet e sundimit të ligjit dhe sigurinë”, tha ai.

Këshilltari i Haradinajt, Selim Selimi u shpreh, duke shtuar se rritja e mbështetjes financiare për gjyqësorin është “duke i bërë institucionet më dinjitoze”, duke theksuar se pagat e prokurorëve të Kosovës janë më të mirat në rajon.

Selimi premtoi gjithashtu që të ketë rritje të kapacitetit të personelit si në polici ashtu edhe në gjyqësi, me një rritje prej 20 përqind të numrit të të punësuarve. Si pjesë e këtyre planeve, parashikohet punësimi i 2000 policëve të rinj, si dhe 100 prokurorë dhe 100 gjyqtarë të tjerë.

Është propozuar edhe ngritja e gjykatave komerciale në të shtatë rajonet e Kosovës. Këto gjykata janë parashikuar të trajtojnë vetëm çështjet që përfshijnë investitorët e huaj që janë duke hasur probleme me investimet e tyre në Kosovë dhe kanë për qëllim shpejtimin e zgjidhjeve që kanë të bëjnë me mosmarrëveshje juridike.

Sidoqoftë, Selimi nuk e zbuloi koston e përafërt për këto zgjerime të sistemit gjyqësor, ose mënyrën se si do të mblidheshin fondet e nevojshme.

Prioritetet në shëndetësi dhe mjedis

Sa i përket sektorit të energjisë, Haradinaj u zotua të vazhdojë ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e re. Gjatë mandatit të Haradinajt, qeveria e Kosovës dhe konsorciumi Contour Global nënshkruan një kontratë për ndërtimin e termocentralit të ri, me një investim që arrin në shumë se 1 miliard euro për qeverinë.

Marrëveshja ka marrë kritika të ashpra nga shoqëria civile dhe grupet e mjedisit, porse ish-kryeministri mbetet i vendosur në përkrahje të këtij plani. “Ka disa njerëz në këtë sallë që mendojnë se termocentralet na vrasin,” tha ai. “Edhe nëse është teknologjia më moderne, ata thonë se është e keqe për Kosovën”.

Sa i përket hidrocentraleve, Haradinaj premtoi se funksionimi i paligjshëm i tyre do të ishte një gjë e së kaluarës nën një koalicion qeverisës AAK-PSD. Gjatë qeverisjes paraprake, dy hidrocentrale në rajonin e vendlindjes së Haradinajt, në Deçan, u lejuan të vazhdojnë së funksionuari pavarësisht se nuk kishin lejet e kërkuara.

“Asnjë institucion nuk do të funksionojë pa leje dhe nuk do të lëshohet leje e re që dëmton mjedisin gjatë qeverisjes time”, tha Haradinaj.

Sa i përket sektorit të shëndetësisë, Besa Baftiu nga PSD deklaroi se si parakusht për zbatimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore është funksionalizimi i një baze të të dhënave për regjistrin mjekësor në mënyrë elektronike. Ajo e përshkroi angazhimin për një bazën të të dhënave si një prioritet, por nuk përcaktoi një datë të synuar për përfundimin e saj.

Sidoqoftë, Baftiu premtoi se trajtimi mjekësor do të jetë falas për qytetarët pasi që “shëndeti publik është përgjegjësi e shtetit”. Haradinaj shtoi se ndërtimi i një spitali lokal në Prishtinë është një prej prioriteteve për koalicionin AAK-PSD.

Edukimi, kultura dhe rinia

Driton Çaushi nga PSD prezantoi planet për arsimin, duke thënë se programi i koalicionit përmban politika që gjithashtu mund të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Për Çaushin, rritja e cilësisë së mësimdhënies mbetet një nga prioritet kryesore, dhe në këtë drejtim, një qeveri AAK-PSD do të prezantonte një sistem të vetingut në të gjitha universitetet publike. “Ne do të fillojmë me vettingun në universitetet publike, ndërsa janë paraparë poashtu edhe hetimet për plagjiaturë, si dhe marrjen e masave në raste të tilla”, deklaroi ai.

Sipas Çaushit, arsimi i lartë duhet të jetë falas, ndërsa dispozitat e tjera janë planifikuar poashtu në të gjithë sistemin arsimor, duke përfshirë provimet mjekësore, ushqimin falas në shkollë, dhe rritjen e numrit të kopshteve për dy sosh në secilin qytet.

Librat shkollorë janë një fokus tjetër, ku Driton Çaushi planifikon të ndërhyjë në librat që përdoren aktualisht duke i dhënë fund varshmërisë nga librat origjinalë në gjuhën shqipe duke përdorur kopje të përkthyera të teksteve shkollore të botuara në gjuhë të tjera.

Pranvera Ejupi nga AAK premtoi që sporti dhe të rinjtë do të jenë në fokusin e një qeverie të AAK-PSD, me ndërtimin e stadiumeve si një prej prioriteteve, megjithëse nuk u premtuan shuma fikse të të hollave. Për sa i përket kulturës, kandidatja e AAK-PSD për deputete, Besa Luzha, premtoi gjithashtu se ndërtimi i një ‘Pallati Koncertal’ do të fillonte menjëherë, dhe do të përfundohej brenda mandatit qeverisës.