Nisma, PDK e AAK përplasen se kush e vendosi takën

Në debatin e sotëm në DebatPernime, pas deklaratave të Nisma-s e PDK-së, Kandidatja për deputete nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj- Bujupi, ka thënë se tashmë dihet se kush ka vënë taksën dhe kush po e mban atë.

 

 

“Qëndrimet e sotme dhe të këtyre javëve të fundit edhe njëherë konfirmojnë se kush e ka vnu taksën dhe kush po  e mban në fuqi dhe kush do ta mbaj deri në njohje. Kur është vënë taksa krejt kanë provuar me marr merita kur është bërë nxehtë ka mbet veç Kryeministri Ramush Haradinaj, kjo pjesa e reciprocitetit është me tepër përpjekje me eskivu prej asaj që e dimë të gjithë. Serbia ka pasur një  treg 600 milionëve e Kosova 60 normal që Serbia pranon reciprocitet”, tha Kadaj Bujupi.

Këto deklarata të Kadajt- Bujupit erdhën pas deklaratave të PDK-së e Nisma-s se meritat për taksë i kanë këto dy parti.

Kandidatja e koalicionit Nisma Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi në #debatpërnime ka deklaruar se tarifa prej 100 për qind është propozuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Ajo ka deklaruar se tarifa do të largohet, vetëm atëherë kur Serbia të reflektojë karshi Kosovës.

“Nisma ka tregu besnikëri që ka të bëjnë me shtetin, me vendin dhe tarifa ka ardhë si pasojë e propozimit të ministrit të Nismës. Politikat e Nismës janë shumë të pjekura dhe janë saktë me arsyetime të plotë. Unë dua të them se tarifa duhet të hiqet vetëm atëherë kur të pushojnë arsyet e vendosjes së saj. Ky është qëndrimi i Nismës”, tha Krasniqi.

Meritat për taksë i mori edhe PDK.

Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu- Kodra tha se taksa është vendosur me propozim të zëvendës kryeministrit të PDK-së.

“Taksa është vendosur me propozim të zëvendës kryeministri Enver Hoxhaj, pastaj nga z. Veseli 100%, por PDK e ka thënë qartë që taksa duhet të jetë e drejtuar në raport me agresionin e Serbisë dhe kurrsesi ndaj aleatëve tanë ndërkombëtar e aq më pak luftë më të. Ne e kemi pasur një propozim të qartë që taksa të pezullohet  në një fazë prej 120 ditëve dhe ne kemi propozuar që pas kësaj faze të kemi reciprocitet me Serbinë”, ka thënë ajo

Kur erdhi në krye të Qeverisë, Ramush Haradinaj deklaroi se ai nuk dëshiron ta drejtoj dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë. Për këtë, ai ishte arsyetuar se ka punë të tjera brenda vendit për të bërë.

Ramush Haradinaj kishte deklaruar se dialogu mund të zhvillohej nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Por, rrethanat kishin ndryshuar, kur në mes të vitit 2018 u shfaq një ide për ndryshim kufijsh nga presidenti Thaçi.

Vendosja e taksës 100 për qind nga qeverisja Haradinaj pezulloi bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndërkaq, Qeveria Haradinaj tentoi që të marr timonin në dialog ndërmjet një ekipi negociator por kompetencat e këtij ekipi dolën të jenë antikushtetuese.

Të ftuar në debat janë: Arben Gashi  -Faton Peci LDK,  Mimoza Kusari -Xhelal Sveqla VV,  Besnik Tahiri -Donika Kadaj AAK PSD, Zafir Berisha – Arbresha Krasniqi Nisma AKR, Arben Gecaj- Blerta Deliu PDK, SDA Numan Baliq SDA.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet qeverisëse.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.