Haradinaj premton Ligjin për Mitrovicën

Koalicioni parazgjedhor AAK-PSD betejën për zgjedhjet e 6 tetorit e ka vazhduar sot nga qyteti i Mitrovicës.

Kandidati për kryeministër nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, premtoi Ligj për Mitrovicën, nga i cili tha se do të përfitojnë qytetarët e saj grant qeveritar dhe benefite tjera.

Ai ka përmendur arsyet pse qytetari duhet të votojë koalicionin AAK-PSD dhe numrin 119, duke thënë mes tjerash se vetëm kështu do të ruhet Kosova e pavarur e 17 shkurtit, dhe e pa copëtuar.

Në anën tjetër, kryetari i PSD-së, njëherësh kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se Mitrovica prej një shembulli të jetës multi-etnike është kthyer në shembull të ndarjes në vija etnike.

Duke paralajmëruar se koalicioni AAK-PSD është për 100 për qind shtet, Ahmeti tha se rreziku për ndarjen e territorit është ndalur sot, por jo edhe nesër dhe pasnesër, andaj ka bërë thirrje për votë të mitrovicasve, në mënyrë që qyteti i Mitrovicës të mbetet brenda territorit të Kosovës.

“Nesër një javë dalim në kutitë e votimit, për ta shprehur vullnetin dhe qëndrimin tonë, për 100 për qind shtet dhe 100 për qind Kosovë”, theksoi Ahmeti.

Në fund u prezantuan kandidatët e këtij koalicioni për deputetë në Kuvendin e ardhshëm të Kosovës.