Premtimet e LDK-së për mjedisin

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Haxhi Avdyli në #DebatPernime ka premtuar deri në fund të vitit të parë të qeverisjes do të ndalohet djegia e qymyrit për ngrohje.

Po ashtu, Avdyli ka thënë se me LDK-në në pushtet do të ketë taksë për përdorimin e qeseve të plastikës si dhe do të rriten gjobat për qytetarët që e ndotin ambientin.

Më poshtë gjeni të gjitha premtimet konkrete të LDK-së për mjedisin:

Jeta Xharra: A duhet me u ndalu me ligj djegia e qymyrit për ngrohje?

Haxhi Avdyli: Duhet të ndalohet dhe në fund të vitit të parë të qeverisjes kjo punë do të rregullohet

Jeta Xharra: Kur kanë me pas ngrohje qendrore prej KEK-ut, Fushë Kosova dhe Obiliqi?

Haxhi Avdyli: Deri në fund të mandatit

Jeta Xharra: Sa ngrohje qendrore keni me i ndërtu nëpër qytete? Ku dhe kur?

Haxhi Avdyli: Nuk ka ndonjë studim të qartë dhe duhet më shumë kohë

Jeta Xharra: A duhet me vendos taksa për përdorim të qeseve të plastikës?

Haxhi Avdyli: Po do të ketë taksë në dy vitet e para.

Jeta Xharra: A keni me fillu me i gjobit qytetarët që e ndotin ambientin?

Haxhi Avdyli: Do të rritet vetëdijesimi, inspektorët dhe gjobat për qytetarët dhe numri i inspektorave do të rritet 50%.

Jeta Xharra: A keni me bo lirime tatimore për veturat e reja e jo-ndotëse?

Haxhi Avdyli: Do të ketë lirime.

Jeta Xharra: Kur ka me u implementu standardi europian Euro 5 dhe Euro 6 për regjistrim të veturave në Kosovë?

Haxhi Avdyli: Brenda dy viteve të para

Jeta Xharra: Kur keni me i obligu kompanitë që shesin vaj me grumbullu vajin e përdorur?

Haxhi Avdyli: Brenda mandatit

Jeta Xharra: Kur keni me i obligu kompanitë që shesin bateri me i grumbullu e me i riciklu  bateritë?

Haxhi Avdyli: Brenda mandatit të parë

Jeta Xharra: Kur ka me u bo deponia për mbeturina industriale? (i kemi humb 12 milionë të BE-së me ndërtu këtë deponi)?

Haxhi Avdyli: Brenda mandatit të parë

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.