Plani i PDK-së për sistemin e drejtësisë

Kandidati për deputetë njëherit edhe Ministër i Drejtësisë në detyrë, Abelard Tahiri, në mbrëmjen e sotme në #DebatPernime,   tregoi se cilat do të jenë veprimet e PDK-së dhe ndryshimet që do t’i ndërmarrin nëse marrin mandatin e qeverisjes për katër vitet e ardhshme.

Tahiri nuk la pa komentuar edhe të mirat siç i quajti ai që ka bërë gjatë kohës që ka marrë postin e drejtuesit të Ministrisë së Drejtësisë.

“Në radhë të parë duhet me i theksu disa të arritura gjatë mandatit tim të shkurtë si Ministër i Drejtësisë. Për herë të parë kemi arrit me pas një ligj për konfiskim të pasurisë, e cila ka qenë një ndër pikat më të dobëta të sistemit të drejtësisë që 20 vite, pra konfiskimi i pasurisë së fituar me aktivitet kriminal. Çështje tjetër është ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, ku për 20 vite janë abuzuar fondet e qytetarëve të taksapaguesve në emër të shtesave në emër të pjesëmarrjes në komisione të ndryshme, dhe shumë shpesh këto shtesa kanë dalë të hyrat mujore më të larta se pagat dhe tani një gjë e tillë është e pamundur. kem I miratuar ligjin për sinjalizues i cili mundëson zyrtarëve institucional për denoncimin e abuzimeve të këqijave që ndodhin edhe në sektor publik edhe në sektor privat. Kemi bërë një reformë të thellë në drejtësinë penale ku i kemi rritë dënimet për korrupsion, ju kemi pamundësuar me marr pjesë me punu në institucione të dënuarve për afera korruptive prej 5 deri në 10 vite”, tha Tahiri.

Ai shtoi edhe se  çfarë përfshin plani shtatë pikësh i PDK-së për sistemin e drejtësisë.

Kemi një plan shtatë pikësh ndër to është pika kryesore edhe byroja kundër korrupsionit që besoj se sistemi ynë prokurorial duhet të ketë një reformim të thellë duke filluar nga këshilli gjyqësor nga mundësia e organizimit të një byrojë kundër korrupsionit ku në mandatin e saj nuk do ta ketë luftimin e terrorizmit e korrupsionit qysh është tani në Prokurorinë Speciale, por të ketë vetëm aferat korruptive që kapin vlerat mbi 100 mijë euro. Reformë e thellë për Agjencinë Kundër Korrupsionit dhe listës së të deklaruarve të pasurisë, ministri, deputetit, zyrtarëve të lartë shtetërorë të i verifikohet pasuria në mënyrë të përvitshme”, tha Tahiri.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burim Ramadani, Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.