Peci: Tarifa është vendosur për të fshehur dështimin dhe abuzimin financiar nga PAN-i

Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Peci, në emisionin #debatpernime tha se tarifa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake ka ardhur si përpjekje për të fshehur dështimet dhe abuzimet financiare nga qeveria e PAN-it.

Peci po ashtu tha se tarifa ka ardhur pas dështimit të liberalizimit të vizave  dhe mospranimit në INTERPOL.

“Ju rikujtoj përfaqësuesve të AAK-së që kanë drejtuar me Qeverinë dhe partnerit të tyre, PDK-së se deri te taksa ka ardhur si rezultat i kryeneqësisë dhe një mosdije dhe përvec tjerash ka ardhë si rezultat i dështimit institucional të liberalizimit të vizave dhe pranimit në INTERPOL. Taksa ka qenë një vendim populist për të fshehur dështimet dhe abuzimet financiare që kanë ndodhur në Qeverinë e PAN-it”, deklaroi Peci.

Në nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si reagim ndaj lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar vazhdimisht suspendimin e kësaj mase për t’i lënë rrugë vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Arben Gashi  -Faton Peci LDK,  Mimoza Kusari -Xhelal Sveqla VV,  Besnik Tahiri -Donika Kadaj AAK PSD, Zafir Berisha – Arbresha Krasniqi Nisma AKR, Arben Gecaj- Blerta Deliu PDK, Numan Baliq- Fahrudin Megjedoviq SDA .

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.

.