Partitë harrojnë Kullën e Jasharajve - VIDEO

Në mbrëmjen e sotme, në ciklin e #DebatPernime, kandidatë e anëtarë të partive, PDK, AAK, LDK, NISMA, PSD, NDS, VV, debatuan për arsimin e kulturën, por në planprogramet qeverisëse të tyre, nuk ishte e përfshirë edhe ndërtimi, rregullimi apo meremetimi i Kullës së Jasharëve.

Subjektet politike paraqitën planet e tyre për ndërtimin e muzeve, sallës koncentrale, asaj të operës e baletit, por nuk përmendën “Kullën e Jasharëve”.

“Mu po më pëlqen që në prezantimet e juaja ka një konsensus, nuk po ja qoni huq punën njëri tjetrit, gjithë po pajtoheni që muzeu i natyrës ka me u bo që salla koncentrale ka me u bo, por po më pengon që kurrkush prej jush si shkoj goja me përmend Kullën e Jasharajve”, ishte Xharra që ua rikujtoi subjekteve politike çështjen e Kullës së Jasharajve”.

“Kjo çështje është diskutuar dhe është trajtuar me seriozitet por aktualisht menaxhohet nga një ligj i veçantë dhe nga një komision që është për komplekse ku hyn edhe kompleksi i Adem Jasharit, i cili nuk është pjesë e Ministrisë së Kulturës. Ne kemi kërkuar që nga ky ligj të kaloj në Ministri të Kulturës dhe ta trajtojmë ne si Ministri e Kulturës se aktualisht nuk kemi kompetenca te ky kompleks”, tha ministri në detyrë i Kulturës, Kujtim Gashi nga PDK.

“Së pari neve na vyn një ligj i veçantë për muzetë, na nuk kemi ide qysh organizohen muzetë skemi muzeolog në shtetin tonë kështu që na vyn urgjentisht me bo hapa në këtë drejtim në mënyrë që kur të bëjmë konservimin dhe muzeufizikimin ta bëjmë në mënyrë profesionale. Deri atëherë ne mujm me marr modelin e Shqipërisë. Kulla e Adem Jasharit… “, tha Ylli Rugova nga VV.

“Fatkeqësisht Kulla e Jasharajve nga individë e parti të caktuara politike pas luftës është shndërruar si arenë për poena politik, pra ka mbetur e anashkaluar. LDK do të ishte ajo që në një interval prej dy viteve do ta restauroj Kullën e Jasharajve, viti i parë do të jetë viti i matjes dhe fizibilitetit dhe hartimit të projektit dhe viti i dytë pavarësisht kostos, nuk ka kosto ose shifër financiare nuk vihet në diskutim kur është në pyetje Kulla e Jasharajve”, tha Faton Peci nga LDK.

AAK nuk dha ndonjë qëndrim në lidhje me ndërtimin dhe restaurimit të Kullës së Jasharëve.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë

Pjesë e këtij debati do të jenë: Shyqiri Bytyqi dhe Besa Luzha nga koalicioni AAK-PSD, Xhavit Rexhaj dhe Faton Peci nga LDK, Yll Rugova dhe Venera Llunji nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Gashi e Muzafer Shala nga PDK dhe Rexho Kojiq e Anesa Çollakoviq, NDS (Nova Demokratska Stranka/Partia e re Demokratike), Vesel Makolli nga AKR-NISMA.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.