Osmani: Po e shqyrtojmë privatizimin e menaxhmetit të spitaleve

Në #DebatPernime, kandidatja për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me ekipin e saj janë duke shpalosur programin qeverisës të tyre të cilën do ta vënë në funksion nëse marrin mandatin qeverisës.

Osmani në debat tha se do të privatizohen menaxhmentet e spitaleve ku do të angazhohen kompani, të cilat mund ta bëjnë këtë.

“Ne jemi duke e shqyrtuar që në vendimin final të kemi një menaxhment jo publik të spitaleve, sic është në SHBA sepse ka kompani sepse jo domosdoshmërisht drejtorët duhet ta menaxhojnë spitalin. Dhe po flas vetëm për menaxhmentin sepse në Amerikë Latine kanë pasur shëndetësi shumë më të dobët se ne, përkundër që lëngon, por kanë marrë kompani amerikane për t’i menaxhuar dhe renda shumë pak vitesh kanë arritë me shkëlqy”, ka thënë Osmani.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, Haxhi Avdyli, Arben Gashi, Hykmete Bajrami dhe Xhavit Rexhaj.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.