LVV: Do t’i rishikojmë pozitat e drejtorëve të lidhur me partitë politike

Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendose për deputete Venera Llunji ka komentuar emërimet e drejtorëve që kanë lidhje politikë në Mitrovicë, komunë kjo që drejtohet nga Agim Bahtiri i cili së fundi kaloi në këtë parti.

Venera Llunji në #DebatPernime tha se pas përfundimit të kontratave të drejtorëve aktual, nëse Vetëvendosje është në pushtet ato do të rishikohen.

“Kur t’i kalojnë kontratat e punës dhe të bëhet rishikimi i tyre. Ata kanë kontrata, ata e kanë kaluar një proces të vlerësimit dhe kanë qenë struktura të tjera që i kanë intervistuar e jo të Lëvizjes. Kur të vjen Lëvizjes Vetëvendosje në qeverisje do të rishikohen të gjitha”, tha Venera Llunji në Debat Pernime.

Ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Yll Rugova tha se pa marrë parasysh i cilës parti është drejtori, nëse ka lidhje partiake ata do të largohen.

“Secili drejtor, secili anëtar, qoftë i Vetëvendosjes, qoftë i secilës parti i cili është i partizuar ne do t largojmë. Nuk ka dert a është i Vetëvendosjes apo i dikujt tjetër”, tha në Debat Pernime Yll Rugova.