Lluka: Qeveria Mustafa e hoqi masën mbrojtëse për prodhuesit vendor

Kandidati për deputet i AKR-së, Valdrin Lluka, ka thënë se qeveria Mustafa e ka hequr masën mbrojtëse për prodhuesit vendor, gjë që sipas tij e kishte vendosur AKR.

Sipas tij, qeveria Mustafa ishte pajtuar menjëherë për heqjen e kësaj mase pas disa fjalëve në Bashkimin Evropian.

“Ka qenë AKR në mandatin 2012 deri në 2014 që e ka propozu përkrahjen e prodhuesve vendor për t’i përkrahur me 10 % dhe me 15 % kompanive shërbyese dhe kjo gjë është hequr në negociata me MSA nga qeveria Mustafa dhe kam informata të brendshme që dikush nga BE ka thënë që është mirë me u heqë dhe këta janë pajtuar menjëherë për heqjen e saj. Edhe Maqedonia edhe Serbia e kanë përkrahjen e shërbyesve vendor dhe kompanive shërbyese si masë mbrojtëse për këta prodhues”, ka thënë Lluka.

Në ciklin e #DebatPernime përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë:  Remzi Smajli dhe Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma/AKR/PD, Magbule Shkodra dhe Bajram Hasani nga koalicioni AAK/PSD, Besa Gaxherri nga LDK, Hekuran Murati dhe Mentor Hyseni nga VV, Lulzim Rafuna nga PDK, Asllan Kryeziu dhe Kenan Aliu nga PDAK.

Debati transmetohet dhjetë ditë fushatë zyrtare nga ora 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.