LDK: Shpend Maxhuni dhe ish drejtori i AKI-së janë të rrezikshëm, do të marrin përgjegjësi

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Arben Gashi, i ftuar në Debat Pernime ka thënë se policët e Kosovës me rishikohet të ligjit do të kenë sigurime jetësore brenda vitit të parë të qeverisjes.

Po ashtu, Gashi ka thënë se radiolidhja e policisë do të rregullohet menjëherë sepse sipas tij kjo gjë nuk guxon të ndodhë dhe të gjitha ata që e kanë lejuar një gjë të tillë do të marrin përgjegjësi.

Tutje Gashi ka thënë se Shpend Maxhuni dhe ish drejtori i AKI, Driton Gashi janë të rrezikshëm në këto pozita në të cilat ndodhen dhe do të marrin përgjegjësi për rastin e gulenistëve.

Jeta Xharra: Kur keni me vendosë çka ka me ndodhë me  eprorët e policisë që para 5 viteve kanë ra prej testit të integritetit të AKI-së e që sot vazhdojnë me punu në polici?

Arben Gashi: Kjo hynë në kuadër të rishikimit të sistemit sepse ka dështuar sistemi në tërësi. Ka pasur luftë të brendshme në mes të policisë dhe AKI se kush po e kontrollon dhe kjo nuk ka me guxu me ndodhë me u rreziku sistemi i sigurisë. Në kuadër të shtyllës parë që fola në fillim që ka të bëj me rishikimin e sistemit dhe kjo ka të bëjë me rishikimin e zyrtarëve të lartë shtetëror për integritetin personal dhe vetingun. Do të kryhet në një periudhë të shkurtë.

Jeta Xharra: Emin Beqiri është komandant i policisë në Ferizaj edhe pse gjykata Supreme ka thanë që ai është liru në kundërshtim me ligjin për akuzat për korrupsion. Në mandatin tuaj, a ka me qenë Beqiri drejtor i policisë në Ferizaj?

Arben Gashi: Kushdo që është në kundërshtim me ligjin nuk ka vendi në Policinë e Kosovës.

Jeta Xharra: Shpend Maxhuni drejtor i AKI-së ka qenë drejtor i Policisë në kohën kur janë deportu Turqit. A ka me vazhdu me qenë shef i AKI-së Shpendi në mandatin tuaj?

Arben Gashi: Shpend edhe ish drejtori i AKI janë thellë të implikuar në krejt atë që ka ndodhur me gulenistët dhe janë të rrezikshëm në pozitat që janë dhe sigurisht do të marrin përgjegjësi sepse e rrezikojnë kredibilitetin e AKI-së.

Jeta Xharra: A ke me i qitë prej punës policët që nuk e kanë mbrojtë Valbona Ndrecajn?

Arben Gashi: Jo vetëm policët por të gjitha rastet dhe sidomos rastin e dhunimit të fëmijës rom në Fushë Kosovë ku Policia e Kosovës nuk ka reaguar vetëm për shkak të etnisë së tij sepse është turp me ndodh kjo gjë në Kosovë.

Jeta Xharra: Sa ka me kanë koha e reagimit të policisë në rastet kur raportojnë qytetarët?

Arben Gashi: Koha e reagimit është specifike dhe ndryshe është në Dragash e ndryshe në Prishtinë dhe do të rishikohet.

Jeta Xharra: Kur ka me u bo sigurimi jetësor për policët?

Arben Gashi: Në kuadër të programit e kemi paraparë që kjo nuk do të privatizohet, sigurimi jetësor dhr në buxhetin e shtetit dhe kjo do të ndodhë 24 vjet pas vdekjes dhe do të marrë pagën me rritje dhe në rast të lëndimit do të marrë 12 paga shpërblim dhe përqindjen e rrogës nga përqindja e rrogës qe e ka pasur dhe kjo do të bëhet brenda vitit të parë me rishikimin e ligjit për policinë.

Jeta Xharra: Kur do ta kemi ligjin për pensionim të parakohshëm për policët e Kosovës?

Arben Gashi: Ligji për pensionimin e parakohshëm të policisë është kompleks dhe me ata që unë kam biseduar ka pasur probleme se tash brenda strukturave të brendshme se kush kë e eleminon. Duhet të kemi kujdes që të mos përdoret kjo gjë dhe kapacitete policore që janë të transferohen në kapacitete të tjera.

Jeta Xharra: Kur keni me instalu radarët automatik nëpër semafora dhe autostrada?

Arben Gashi: Radarët statik do të vendosen në shumicën e rrugëve të Kosovës dhe jo vetëm në autostrada, por sidomos në atë Prishtinë dhe Podujevë dhe vendimi do të merret në vitin e parë të mandatit

Jeta Xharra: Kur keni me ja mundësu policisë me i punu radiolidhja në tërë territorin e Kosovës?

Arben Gashi: Do të kryhet kjo punë sa më shpejt që është e mundur dhe do të marrin përgjegjësi të gjithë ata që nuk kanë lejuar që kjo të ndodhë sepse nuk guxon që radiolidhja të mos punojë.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Driton Selmanaj dhe Arben Gashi- Lidhja Demokratike e Kosovës, Burim Ramadani dhe Selim Selimaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Abelard Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.