LDK premton zyrë shtetërore të hetimit që do të merret me korrupsionin dhe vrasjet politike

Lidhja Demokratike e Kosovës në Debat Pernime ka prezantuar programin e saj për drejtësinë.

Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi në Debat Pernime ka deklaruar se në rast se LDK do të vijë në pushtet do të bëjë vlerësimin dhe rishikimin e sistemit të drejtësisë.

Gashi ka deklaruar se do të bëhet veting në Polici, Prokurori e Gjykatë.

“Ne do të vlerësojmë dhe rishikojmë sistemin e drejtësisë. Do të bëhet veting në Polici, Prokurori dhe në Gjykatë dhe dekriminalizimin, pra lidhjet e krimit ekonomik, financiar me institucionet publike”, është shprehur Gashi në Debat Pernime.

Tutje ai ka prezantuar edhe një pjesë të pgroamit që sipas tij është themelimi i një zyre shtetërore të hetimit që do t’i ketë 4 shtylla, përfshirë këtu anti-korrupsionin dhe vrasjet politike,

“Pjesa e dytë e programit ka të bëje me zyrën shtetërore të hetimit. Në kuadër të kësaj zyre, do të jenë 4 shtylla, e para do të jetë Agjencia Anti-Korrupsioni, shtylla e dytë Anti-Krimin e organizuar, shtylla e tretë ka të bëje me pasurinë e pashpjegueshme dhe shtylla e katërt ka të bëjë me vrasjet politike apo vrasjet e pazbuluara që kanë ndodhur”, tha Gashi në mes tjerash në Debat Pernime.

“Ne parashohim të ndërtojmë një sistem i cili është funksional i cili do të drejtohet nga prokurorë kompetent dhe do të ketë kompetenca në bazë të sistemi kushtetues dhe juridik të Kosovës”, ka vazhduar ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e debatit të sotëm janë: Burim Ramadani, Selim Selimi nga koalicioni AAK-PSD, Arben Gashi e Driton Selmanaj nga LDK dhe Abelard Tahiri nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.