Edukim për të rinjtë, të drejta për punëtorët e kujdesje për të moshuarit, premtimet e Kurtit në Malishevë

Kandidati për kryeministër nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ishte në një tubim në Malishevë.

Kurti në këtë komunë foli për edukim cilësor për të rinjtë, gjykatë të punës për punëtorët, e hapsira rekreative për të moshuarit.

Ai tha se të rinjtë e Malishevës duan qeveri që i hap dyert e mundësive në Kosovë, e jo dyert e autobusëve për dëbim nga Kosova.

“Shkolla profesionale e Malishevës është infrastrukturë moderne për shkollim, por aty nuk ka arsim profesional siç e kërkon tregu i punës. Objektet nuk edukojnë vetvetiu sado të mira të jenë e të duken, edhe ndërtesa e qeverisë së Kosovës është e mirë me u pa, por aty mend nuk ka. Sa më lart që ngjitesh aq më pak gjen mend. Duhet të kontrollojmë cilësinë në edukim, sepse shteti është rregullator e jo spektator. Të vendosim standarde në dysheme e pa tavan në edukim, sepse dija kurrë nuk ka tavan, por ka dysheme për mësues që nga çerdhet e deri në akademikë”, tha Kurti.

Kryetari i Vetëvendosjes foli edhe për të drejtat e punëtorëve. Ai tha se çdo i pesti në komunën e Malishevës punon në sektorin e ndërtimtarisë, ndërsa përmendi se në Kosovë 24 punëtorë gjatë vitit 2018 kanë vdekur në vendin e punës.

“Me qeverisjen progresiste të Lëvizjes Vetëvendosje do të kemi gjykatë të punës, që rregullon raportet punëdhënës-punëmarrës, do të kemi ligj të ri të punës, do të kemi pesëfishim të inspektoritatit të punës dhe do të kemi fuqizim të sindikatave të punëtorëve”, premtoi ai.

Kurti pati premtime edhe për të moshuarit e kësaj komune.

“Kujdes për pensionistët me transport publik, me zona rekreative e me pensione që rriten gradualisht e vazhdimisht. Të moshuarit nuk duhet të jenë buzë vdekjes, por në një fazë të re të jetës”, tha Kurti.

Albin Kurti ndër të tjera foli edhe për shëndetësin moderne, investim në infrastrukturën publike dhe në fushat e sportit për të rinjtë.