Kurti në Vushtrri: Mërgatës do t'ia heqim haraçin në kufi

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, gjatë një tubimi në Vushtrri foli edhe për mërgatën kosovare.

Kurti tha se tashmë mërgata ka filluar udhëtimin drejt atdheut dhe se ata janë shpëtimi i Kosovës. Ai premtoi arsimtarë të gjuhës shqipe për diasporën.

“Kjo mërgatë na mban gjallë familjet tona e paqen tonë sociale. Para mërgatës tonë zotohemi se do të heqim haraçin në kufi e do të ua sjellim kutitë e votimit në vendet ku jetoni. E gjithashtu do të sigurojmë arsimtarët më të mirë të gjuhës shqipe për fëmijët tuaj, në mënyrë që t’u garantojmë integrim pa asimilim”, deklaroi Kurti.

Kurti në Vushtrri foli për bujqësinë, duke thënë se më nuk do të lejohet që tokat bujqësore të kthehen në sheshe ndërtimi. Ai premtoi rritje të fitimit nga ky sektor.

“Me ne prodhimi në bujqësi dyfishohet, sepse do të rrisim grantet dhe subvencionet dhe do t’i mbrojmë produktet vendore. Me ne fitimi nga bujqësia pesëfishohet sepse nisim hapjen e fabrikave të përpunimit të produkteve bujqësore, në mënyrë që të ulim importin e të rrisim eksportin. Lëvizja Vetëvendosje nuk do të lejojë që tokat bujqësore të shndërrohen në sheshe ndërtimi, ku shpërlahen paratë e kontrabandës e krimit të organizuar”, premtoi kreu i Vetëvendosjes.

Kurti foli edhe për pnëtorët, duke thënë se Vetëvendosja ofron mbrojtje sociale në programin e saj, ku si punëtori, si i papuni, e si pronari e i pasuri, do të jenë qytetarë të republikës me drejta të barabarta.

“Duke e ditur që e bëjnë Kosovën të pajetueshme, me arsimin që e bëjnë analfabetizmin funksional nëpër shkolla, me spitale të leckosura ku ilaçet i blen pacienti, me ajrin e ndotur që ta zë fytin e t’i djeg sytë, me papunësi afatgjatë e pa të drejtë për punëtorë, këta premtonin liberalizim të vizave, pra këta premtonin dalje nga shteti ynë të cilin e kishin katandisur në mjerim të përgjithshëm”, deklaroi Kurti.