Kurti: Fondin Sovran investues do ta udhëheq një person nga mërgata

Kandidati për kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke folur për programin qeverisës ka deklaruar se ‘Fondin sovran investues’ do ta udhëheq një person apartiak, e që preferenca e Kurtit është që ai person të jetë nga mërgata shqiptare.

“Do ta bëjmë bashkë një fond sovran investues që është i ngjashëm me ministrinë e thesarit në Poloni dhe ajo është aksionarja në shumë industri. Fondi sovran investues është instrument i politikave zhvillimore”, tha Kurti, në #Debatpernime.

Ai ka treguar mënyrën se si do të do funksiononte ky fond dhe kush të do ta udhëhiqte.

“Një bord i këtij fondi do të miratohej në Kuvendin e Republikës, dhe ky bord do ta zgjidhte kryeshefin e vet, një person apartiak, mundësisht nga mërgata, me përvojë në menaxhimet e korporatave të mëdha në botë por edhe në përvojë në financat dhe tregjet ndërkombëtare”, është shprehur Kurti.

Cikli i #Debatpernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahet për dhjetë ditë rresht, sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës, ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia, Yllza Hoti.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.