Kurti: Do të shkoj te Presidenti ta marr mandatin për Kryeministër

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se nëse i merr votat për tu bërë kryeministër do të shkoj në presidencë për ta marr detyrën e re te Hashim Thaçi.

 

“Ai është obligim Kushtetues  i tij dhe më në fund do të ketë diçka  të mirë që do të bëj ai si President”, ka thënë ai në Debat Pernime.

Duke folur rreth pikës në statutin e partisë së tij, e cila parasheh se nëse kryetari i Vetëvendosjes merr postin e Kryeministrit, duhet të jap dorëheqje, Kurti premtoi se do ta respektoi dokumentin e partisë.

“Po, kur do të bëhem kryeministër, do ta respektoj statutin. E konsideroj si çdo ligj të Republikës së Kosovës”, deklaroi ai.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Albin Kurti, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Fitore Pacolli, Hajrullah Çeku, Arbërie Nagavci, Hekuran Murati, Saranda Bugujevci, Arben Vitia, Yllza Hoti.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.