Foto: Kallxo.com

KQZ nis verifikimin e zarfeve të ardhura nga Serbia

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se ka filluar shqyrtimin dhe vlerësimin e zarfeve me fletëvotime që kanë ardhur nga Serbia.

KALLXO.com sot ka raportuar se zyrtarë të KQZ-së dhe ekspertë të forenzikës kanë hapur dyert e sallës në Ministrinë e Infrastrukturës në të cilën janë të vendosura zarfet me fletëvotime të ardhura nga Serbia, për të cilat ka pasur dyshime për helm.

Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për KALLXO.com, se vlerësimi i zarfeve është i domosdoshëm pasi ka për qëllim të identifikojë një fletëvotim me personin që e ka dërguar pakon.

“Pra, që ta dijmë nëse fletëvotimi i dërguar është nga një votues i regjistruar suksesshëm si votues jashtë vendit. Pasi të bëhet ky vlerësim, do ta dijmë saktë se sa është numri i fletëvotimeve të aprovuara apo të refuzuara. Vetëm fletëvotimet e aprovuara numërohen”, ka shtuar Elezi.

KQZ thekson se për këtë proces janë në kontakt dhe bashkëpunim me institucionet tjera.

“Kemi edhe mbështetjen e Policisë së Kosovës lidhur me këtë. Pra, edhe në pajisje logjistike”, ka theksuar zëdhënësi i KQZ-së, për KALLXO.com.

Qendra për verifikimin e votave për zgjedhjet e 6 tetorit u përfshi në një incident të dielën e 13 tetorit, sapo nisi hapja e zarfeve të cilat janë dërguar nga Serbia në Kosovë.

Hapja e pakove u shkaktoi alergji, temperaturë, si dhe duke ua vështirësuar edhe frymëmarrjen mbi 20 zyrtarëve të KQZ-së.

12 nga të hospitalizuarit për këtë rast janë liruar nga spitali në Prishtinë para tri ditëve.

Prokuroria e Kosovës ka bërë të ditur, se mostrat e zarfeve me votat nga Serbia janë dërguar për ekzaminim në një laborator të një shteti evropian, por që nuk kanë treguar se në cilin vend janë dërguar ato.