KQZ i bindet Supremes për votat nga diaspora

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se me qëllim të zbatimit të aktgjykimit të Gjykatës Supreme do të fillojnë me procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura nga diaspora.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Pas këtij procesi, sonte në QNR (e martë, 5 nëntor, ora 21:00) do të fillojmë me numërimin e fletëvotimeve të aprovuara”, ka bërë të ditur ai.

Gjykata Supreme e Kosovës e ka miratuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për numërimin e votave të diasporës të cilat kanë mbërritur me vonesë në KQZ.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com, thuhet se Gjykata Supreme e ka miratuar si të bazuar ankesën e VV-së që të ndryshohet vendimi i PZAP-së, dhe të detyrohet KQZ-ja që të bëjë verifikimin dhe numërimin e 1806 pakove me fletëvotime të votuesve jashtë Kosovës.

Gjykata Supreme urdhëron numërimin e votave të diasporës