Koalicioni AAK-PSD nga Lipjani premton transformim në arsim e shëndetësi

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj në tubimin e sotëm elektoral në qytetin e Lipjanit ka kërkuar nga qytetarët që të votojnë për programin e tyre qeverisës.

“Vendimi ynë është i rëndësishëm me 6 tetor. Kosova i ka bërë 20 vjet pas luftës e 11 vjet pas pavarësisë dhe aleatët tonë na shihnin a jemi të zotë, na e kanë lënë edhe hapësirën. Një shtet që nuk mbron territor nuk është shtet. Këtë e kemi bërë me ushtrinë”, tha ai.

Haradinaj premtoi sërish ligj për qytetin e Mitrovicës si dhe shtesa për fëmijët e rritje të rrogave.

Kurse, Dardan Sejdiu kandidat për deputet nga radhët e PSD-së, ka thënë se program i i tyre sjell 100 zotime të arta.

“Nuk e di a keni parë ndonjë program tjetër përveç atij 100 për qind. Është i vetmi koalicioni AAK-PSD që sjell program të shkruar, 100 zotime të arta, të cilat njëherë e përgjithmonë e shndërrojnë këtë republikë të të gjithëve”, tha ai.

Sipas Sejdiut, me këtë program sigurohen tri gjëra.

“E para, nuk do ta flitet për ndarje apo shkëmbim përveçse 100 për qind Kosovë. E dyta ky program i yni është i vetmi që garanton zhvillim ekonomik. Është program që siguron që 20 vjet pas luftës që Kosova të ketë ligj për sigurimet shoqërore. Dhe e treta është transformimi i madh që na duhet në arsim e shëndetësi”, theksoi Sejdiu.