Kandidati i VV: PDK nuk na la ta ndërtojmë Teatrin e Operas dhe Baletit në Prishtinë

Kandidati i lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Yll Rugova, në #DebatPernime se korrupsioni ka kapluar edhe trashëgiminë kulturore përderisa edhe buxheti në këtë sektor nuk është i lartë.

“Kemi pasur raste të korrupsionit të lartë, paramendo korrupsion edhe në trashëgimi kulturore ku nuk është edhe buxheti dhe prandaj e kemi situatën ashtu qysh e kemi. Prandaj, kultura nuk është prioritet i një shteti të njohur botërisht, por ndoshta e ndonjë province… ndoshta të parëndësishme”, ka thënë Rugova.

Ndërsa më tej në debat, Rugova ka thënë që PDk nuk e ka lënë VV të ndërtojë Teatrin e Operas dhe Baletit përkundër që kjo ka qenë vullnet i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk po du me qitë në pozitë të keqe Kujtimin, por pernime nuk është kompetencë e nivelit lokal, ne kur e kemi nisë atë projekt ka qenë sepse këta nuk kanë lënë që Teatrin e Operas dhe Baletit me ndërtu ne, megjithëse e kemi pasur atë vullnet edhe Muzeun e Artit Bashkëkohor me e nisë si vullnet sepse kemi dashur të bashkëpunojmë me Galerinë Kombëtare dhe kur ka vullnet bëhen këto punë në cilindo nivel që je”, ka thënë Rugova.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Shyqiri Bytyqi dhe Besa Luzha nga koalicioni AAK-PSD, Xhavit Rexhaj dhe Faton Peci nga LDK, Yll Rugova dhe Venera Llunji nga Lëvizja Vetëvendosje, Kujtim Gashi e Sabiha Shala nga PDK Vesel Makolli- NISMA dhe Rexho Kojiq e Anesa Çollakoviq, NDS (Nova Demokratska Stranka/Partia e re Demokratike).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.