Kandidati i PDAK-së: Me biznese të reja synojmë përmirësimin e gjendjes në ekonomi

Kandidati për deputet nga PDAK, Asllan Kryeziu paraqiti në #DebatPernime strategjinë për zhvillim ekonomik të kësaj partie.

Kryeziu tha se do të punojnë që të mbrojnë interesin e komunitet ashkali për të cilin Kryeziu tha se është shtresë e rrezikuar në Kosovë,

“Ne si PDAK në programin tonë kemi edhe një pikë të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit, mirëpo dallojmë nga parafolësit dhe partitë e mëdha që synojnë me marrë pushtetin, pasi që ne synojmë me u përfaqësu edhe me mbrojtë interesin e një shtrese shumë të rrezikuar në Kosovë, tek programi ynë për ekonomi, përkrahim një ekonomi të fuqishme në Kosovë duke i motivuar ashkalinjtë e Kosovës që bizneset ekzistuese të cilat janë tu japim grande ti fuqizojmë që të vazhdojnë tutje, dhe të lëmë të rinjtë ata që kanë ide për krijim të afarizmit të ri, për krijimin e bizneseve të reja në grade qeveritare t’i mbështesim dhe ti motivojmë që në këtë forme ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ndikon në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.

Tutje ai shtoi se deri sa kanë qenë pjesë e Zhvillimit Rajonal kanë ndihmuar pjesëtarët e komunitetit ashkali që të marrin grande qeveritare për të hapur biznese.

“Këtë po e them pasi që këtë përvoje duke qenë pjesë e Zhvillimit Rajonal ne si PDAK, kemi financuar dhe kemi mbështetur shumë pjesëtarë të komunitetit ashkali me grande qeveritare për biznis që kem hap biznese të reja ndërsa ato që kanë qenë aktuale i kemi mbështetur me pajisje dhe makineri dhe sot me të vërtetë po lulëzojnë ato”, shtoi ai.

Kryeziu tha edhe se me biznese të reja do të synojnë që të përmirësojmë gjendjen në ekonomi gjë që sipas tij do të ndikonte edhe në përmirësimin e familjeve të komunitetit ashkali.

“Pjesë tjetër mbetet edhe aplikimi i ligjit të punës, kur flitet për asetet e shtetit, korporatat, asetet publike, një shqetësim i gjithi i joni që ne nuk po mundemi me qenë pjesë e kësaj kategorie ligjore, jemi të diskriminuar tërësisht. Sa herë flitet për komunitetin serb tek ne nuk zbatohet kjo”, tha ai.

Në ciklin e #DebatPernime përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë:  Valdrin Lluka nga koalicioni Nisma/AKR/PD, Magbule Shkodra dhe Bajram Hasani nga koalicioni AAK/PSD, Besa Gaxherri nga LDK, Hekuran Murati dhe Yllza Hoti nga VV, Lulzim Rafuna nga PDK, Asllan Kryeziu dhe Kenan Aliu nga PDAK

Debati transmetohet dhjetë ditë fushatë zyrtare nga ora 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.