Kandidati i LVV-së kërkon që qeset e plastikës të zëvendësohen me ato të letrës

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Valon Ramadani, është përgjigjur në 46 pyetjet e KALLXO.com.

Ramadani, që ishte deputet në legjislaturën e fundit ka deklaruar se kauza e tij në rast se bëhet deputet do të jetë luftimi i korrupsionit dhe ndryshimet në shëndetësi dhe arsim, pasi që sipas tij këto dy fusha janë degraduar.

Tutje, Ramadani është deklaruar se nuk do të votojë ndryshe nga qëndrimet e grupit të tij parlamentar dhe e ka përjashtuar mundësinë e ndërrimit të partisë.

Ai ka thënë se qeset e plastikës duhet të zëvendësohet me qese të letrës apo çanta.

Ramadani ka thënë se Kosova është e pasur me qymyr dhe kjo duhet të shfrytëzohet. Sipas tij, ndërtimi i termocentralit të tretë më qymyr është duke vazhduar të ndërtohet, por ai kërkon që të ketë filtër për të mos lejuar ndotjen e ajrit.

Ramadani është deklaruar kundër ndërtimit të autostradës së Dukagjinit.

I pyetur nëse është pro apo kundër martesave në mes të gjinisë së njëjtë, Ramadani është përgjigjur se nuk ka qëndrim për këtë pasi që është çështje personale e atyre që vendosin.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë të kandidatit të LVV-së, Valon Ramadani:

KALLXO.com: Cila është kauza që keni me e shty nëse bëheni deputet?

Valon Ramadani: Luftimi i korrupsionit është kauza që duhet të vazhdohet deri në fund, papunësia sigurisht, shëndetësia do ndryshim si dhe duhet bërë ndryshime rrënjësore në arsim sepse është degraduar. Arsimi kur të degradohet për 1 vjet, është problem të ndreqet për 10 vjet.

KALLXO.com: Nëse e merrni mandatin a keni me vazhdu me qenë deputet apo keni me kalu me ndonjë post tjetër?

Valon Ramadani: Unë këtë nuk e di, por me shumë gjasa dhe me shumë qef do të rrija deputet.

KALLXO.com: Cilat taksa mendoni se duhet me u ulë dhe cilat me u rritë në Kosovë?

Valon Ramadani: Konkretisht nuk e di cilat, por ato që janë më të larta duhet të ulën.

KALLXO.com: Cilat janë tri amendamentet e para që keni me i propozu?

Valon Ramadani: E para mendoj që duhet përkrahur kjo e diasporës, kemi një mërgatë që është e jashtëzakonshme. Këto ditë vlojnë për me ardhë me votu, por nuk munden sepse punojnë. Rreth 30 mijë kanë nxjerrë aplikimet për votim, por edhe disa të tjerë më kanë shkru që s’kanë mujtë të aplikojnë.

KALLXO.com: Cilat janë tri problemet/nevojat kryesore e komunës prej nga vini?

Valon Ramadani: E keni parë rrugën në fshatin Tërrn, është rrugë që 20 vite nuk është rregullu, por tash po rregullohet, e mirë që po rregullohet.

KALLXO.com: A ka gjasa ta ndërroni partinë ku jeni tash ?

Valon Ramadani: Jo, asnjëherë.

KALLXO.com: A ka gjasa me votu kundër qëndrimit të grupit tuaj parlamentar?

Valon Ramadani: Jo.

KALLXO.com: Cili grup i diskriminuar do ta ndjenë më së shumti përkrahjen tuaj si deputet?

Valon Ramadani: Grupi që janë të pakënaqur në Kosovë e që kanë nevojë t’i ngritin shqetësimet që i kanë në Kosovë.

KALLXO.com: Çka do të bëni për përmirësimin e ambientit (mjedisit) dhe ajrit të ndotur në Kosovë?

Valon Ramadani: Mendoj që duhet iniciuar që qeset e najlonit të hiqen nga super marketet dhe të zëvendësohen me të letrës pao me çanta, qysh jemi mësu t’i shohim në vende të Bashkimit Evropian.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të termocentralit të tretë me qymyr?

Valon Ramadani: Ne i kemi qëndrimet tona si Lëvizje për termocentralit. Janë qëndrimet tona të cilat janë publike. Termocentrali me qymyr është duke vazhduar tashmë, është duke u punuar me qymyr. Qymyri është pasuri e jona dhe duhet ta shfrytëzojmë, mirëpo duhet të jenë filterat ato që duhet ta filtrojnë ajrin sepse jemi mësu çdo ditë ta shohim se qysh ajri është i ndotur.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR djegies së qymyrit nëpër shtëpi gjatë dimrit?

Valon Ramadani: E keni parë qysh në kohën e dimrit se sa është cilësia e ajrit në Kosovë dhe ajo që e ndotë është qymyri, pra jam kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR përdorimit të qeseve të plastikës?

Valon Ramadani: Jemi kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shitjes së Telekomit të Kosovës?

Valon Ramadani: Jemi kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të autostradës së Dukagjinit?

Valon Ramadani: Në këtë formë qysh është fol deri tash, unë personalisht jam kundër. Nuk jam kundër investimit në Dukagjin, por jam kundër formës së autostradës mes qyteteve.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR shkëmbimit të territoreve me Serbi?

Valon Ramadani: Jemi kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së tarifës me Serbinë?

Valon Ramadani: Kemi qenë pro derisa është vendosur, si do të vazhdoj nuk e di.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR ndërtimit të hidrocentraleve në lumenjtë e Kosovës?

Valon Ramadani: E keni parë protestën e të gjithë atyre që kanë protestu tek lumi Lepenc, atë lum e kanë varrosu. Në atë formë jemi kundër.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR mbylljes së Universiteteve Publike nëpër komuna nëse nuk i akreditohen programet nga Agjencia e Akreditimit?

Valon Ramadani: Varet se kush e ka vlerësuar atë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR monopolit në homologim?

Valon Ramadani: Jemi kundër

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR martesave në mes të gjinisë së njëjtë?

Valon Ramadani: Kjo është punë personale e atyre se qysh vendosin. Nuk kam përgjigje për këtë.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR bartjes së shamive në shkolla?

Valon Ramadani: Nga mosha 16 vjeçare është qëndrim i Lëvizjes, nuk është pengesë ta kenë mbulesën.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR kuotës për deputetë nga diaspora?

Valon Ramadani: Unë mendoj që duhet të ketë deputetë nga diaspora.

KALLXO.com: A jeni PËR apo KUNDËR heqjes së kartonit të gjelbër për diasporën?

Valon Ramadani: Jam për.

KALLXO.com: Kush po ua financon fushatën?

Valon Ramadani: Ne jemi vullnetarë, nuk është se kemi shumë nevojë për financim. Përndryshe financimin e bëj vet.

KALLXO.com: Sa vende pune i keni momentalisht dhe sa vende pune keni me i mbajtë gjatë kohës kur jeni deputet/ministër?

Valon Ramadani: Unë kam një vend pune, të deputetit dhe kam përgjegjësi tjera në parti. Mirëpo një pagë e marrë në fund të muajit.

KALLXO.com: Sa janë të hyrat mujore dhe çfarë pasurie keni?

Valon Ramadani: Diku rreth 2 mijë euro që i marrim si deputet dhe pasuria është ajo që e kemi trashëguar nga familja dhe saktë nuk edi, por është publike në anti-korrupsion.

KALLXO.com: A e keni pasurinë e përbashkët me gruan/burrin? Nëse jo, a keni me e regjistru bashkërisht?

Valon Ramadani: Pasurinë e kemi të përbashkët me anëtarët e familjes. Si me gruan, ashtu edhe me prindërit.

KALLXO.com: Herën e fundit kur jeni sëmurë, ku jeni shëru, në spital privat apo publik?

Valon Ramadani: Nuk më kujtohet kur jam sëmurë herën e fundit.

KALLXO.com: Ku keni me shku kur të bëheni deputet nëse sëmureni?

Valon Ramadani: Në spitale publike.

KALLXO.comFëmijët e juaj a janë në shkolla publike apo private ?

Valon Ramadani: Në shkollë publike.

KALLXO.com: Sa familjarë i keni të papunë dhe a keni me i punësu gjatë kohës që e merr mandatin?

Valon Ramadani: Vetëm gruaja nuk punon. Nëse ajo mendon që duhet të vazhdoj të punoj, është zgjedhja e saj. Por momentalisht ajo nuk punon dhe ka obligime familjare, që ndoshta unë nuk mund t’i kryej, e kemi një vajzë 7 vjeçare që ajo kujdeset përditë për të.

KALLXO.com: Qysh keni me votu për fatin e Trepçës, me u privatizu apo me mbetë nën qeverisjen shtetërore?

Valon Ramadani: Sigurisht që nuk duhet të privatizohet

KALLXO.com: Me cilin projekt keni me e kushtëzu votën tuaj për buxhet?

Valon Ramadani: Me projekte që do të jenë ashtu qysh ne i kemi ngritur sa kemi qenë në opozitë. Kësaj herë do të jemi në pozitë dhe kësaj here do të jem ai që do ngris çështje nga Ferizaji. Nëse do ta kushtëzoja votën time, do të ishte për vendin që i përkas.

KALLXO.com: Cili ka me qene projekti/puna me te cilën keni me lënë gjurme/trashëgimia juaj si deputet?

Valon Ramadani: Unë si deputet, punoj çdo ditë që të prioritetet dhe ato të këqijat që janë për vendin, sic është korrupsioni, unë do të jem për luftimin e korrupsionit. Korrupsioni i dëmton të gjitha sektorët tjera.

KALLXO.com: Sa pyetje parlamentare keni me i parashtru brenda një viti?

Valon Ramadani: Brenda 1 viti se di saktë, por afërsisht 12-13 pyetje.

KALLXO.com: Sa takime me qytetarë keni me i mbajtë gjatë një viti/mandati?

Valon Ramadani: Për dy vjet, i kam të shënuara 738 takime dhe mendoj se do ta rris këtë numër.

KALLXO.com: Makinat më të vjetra se cili vit nuk duhet të lejohen të importohen në Kosovë?

Valon Ramadani: Tash momentalisht është 10 vjet dhe unë mendoj që kjo është në rregull.

KALLXO.com: Sa dëgjime publike keni me i iniciu ne komisionet ku keni me qene pjese?

Valon Ramadani: Në mandatin e parë kam qenë në dy komisione, dikun 4 ose 5 në njërin komision dhe në 2 ose 3 në komisionin e dytë. Kjo do të rritet kur ne do të jemi në pozitë.

KALLXO.com: A jepni dorëheqje nëse ju ngritët aktakuzë?

Valon Ramadani: Po.

KALLXO.com: A e votoni rrëzimin e qeverisë nëse kryeministri ka aktakuzë?

Valon Ramadani: Po.

KALLXO.com:  A e votoni një qeveri që i ka mbi 15 Ministri?

Valon Ramadani: Këtë nuk e di, duhet parë, por ne si Lëvizje e kemi si propozim rreth 15 ministri.

KALLXO.com: Sa zv.ministra duhet t’i ketë një ministri?

Valon Ramadani: Aq ministri sa janë, aq zëvendësministra do të jenë.

KALLXO.com: A keni me i votu për anëtarësim në borde të ndërmarrjeve publike & shoqërore njerëzit që nuk i plotësojnë kushtet për emërim?

Valon Ramadani: Jo.

KALLXO.com: A keni me i bo transparente fondet e partisë?

Valon Ramadani: Po dhe i bëjmë.

KALLXO.com: A keni me i hape dokumentet/faturat ne kuvend/ministri?

Valon Ramadani: Po, duhet të jenë transparente.