Hykmete Bajrami i rikujton Daut Haradinajt "Borea" projekt i LDK

Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, e ftuar në Debat Pernime ka thënë se kjo parti ka qenë ajo që e ka bërë Ligjin për Trepcën dhe jo qeveria Haradinaj. Sipas Bajramit ligji ka qenë i gatshëm dhe tashmë vetëm e ka miratuar kuvendi.

Po ashtu, Bajrami ka thënë se telekomi duhet të riorganizohet dhe më pas të privatizohet sepse si i tillë nuk është atraktiv për blerësit ndërkaq kjo ndërmarrje është duke gjeneruar vetëm humbje dhe shtetit nuk ka llogari ta mbajë si ndërmarrje.

“Valdrin Lluka tha se qeveria e kaluar nuk i ka shty përpara projektet që kanë të bëjnë me Brezovicën, por harroi se ka qenë dy vjet ministër dhe në fakt ende është ministër në detyrë dhe asnjë hap nuk e kanë bërë për Brezovicën. Ju e dini shumë mirë që projekti i Brezovicës ka dështuar për shkak se investitori i zgjedhur nga qeveria e kaluar para qeverisë Mustafa nuk ka arritur të mobilizojë fondet. Ndërkohë Ligjin për Trepçën e ka bërë qeveriaja Mustafa dhe normalisht është aprovuar në Kuvendin e Kosovës, por nuk e ka bërë qeveria Haradinaj dhe gjithashtu projekti i Boreas është i Gazmend Muahaxherit. Ne e kemi në plan që projektin për Brezovicën ta ndajmë në tri nën projekte dhe përmes Ligjit për Investime Strategjike të sillen investitor, të cilët i kanë paratë dhe jo vetëm idetë. Telekomi duhet të riorganizohet përmes një projekti të EBRD dhe të sillet në një gjendje që të jetë atraktiv për blerësit. Telekomi duhet të privatizohet për shkak se ndërmarrjet publike në momentin që gjenerojnë humbje dhe në anën tjetër të kemi opertorë privat që e ofrojnë të njëjtin shërbim, shteti nuk ka llogari që t’i mbajë si të tilla sepse po shërben për punësimin e familjarëve dhe partiake. Ndërsa sa i përket Trepçës besojm se duhet të rishikohet baza ligjore sepse ligji është bërë pak me nxitim dhe duhet të bëhet futja e kapitalit privat prap përmes Ligjit për Investime Strategjike duke ruajtur interesin e qytetarëve të Kosovës gjithmonë. Ne në këtë mandat kemi bërë statutin, i cili i ka bërë aksionarë punëtorët dhe futjen e aseteve dhe asnjë i tillë të mos mbetet jashtë për ndonjë keqpërdorim”, ka thënë Bajrami.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Haki Abazi,- Vetëvendosje, Hykmete Bajrami- Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj- Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Valdrin Lluka -AKR NISMA PD.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.