Haxhi Avdyli i LDK-së: Do t’i japim sistemit shëndetësor një injeksion financiar

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet, Haxhi Avdyli në #DebatPernime ka deklaruar se sistemit shëndetësor do t’i jepet një injeksion financiar.

“Kryeministrja e ardhshme Vjosa Osmani ka paraparë një injeksion financiar shtesë që do t’i kthehet sistemit shëndetësor. Ky do të ndikoj në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore duke përmirësuar si cilësinë, si furnizimin dhe kursimi i qytetarit nga barra financiare që lidhet me kujdesin shëndetësor”, ka thënë në #DebatPernime Haxhi Avdyli.

Ai ka bërë të ditur se një pjesë e këtij ‘injeksioni financiar’ do t’i shkoj në krijimin e ambulantave dhe mjekëve.

“Një pjesë të kësaj shtesë financiare do ta orientojmë drejtë mjekësisë familjare, fuqizimin e mjekësisë familjare, duke krijuar ambulantë dhe mjekë”, ka thënë tutje Avdyli.

Sipas tij, LDK e ka në qendër të programit qytetarin dhe pacientin.

Cikli i #DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra është mbajtur për dhjetë ditë rresht sa ka zgjatur edhe fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen të dielën, me 6 tetor.

Përballë Jeta Xharrës do të jenë kandidatët për deputetë nga partitë dhe koalicionet kryesore që garojnë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.

Kandidatët për deputetë do të ballafaqohen me pyetje nga publiku, ekspertë, analistë e qytetarë të tjerë.

Pjesë e këtij debati do të jenë: Arlinda Sopi e Leutrim Sahiti (NISMA-AKR- PD), Artan Ahmeti e Fiknete Bejta (AAK-PSD), Haxhi Avdyli (LDK), Fatmire Kollçaku e Qemajl Aliu (VV) dhe Uran Ismaili (PDK).

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV 21 dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.