Ramush Haradinaj - Arkiv - FOTO KALLXO

Haradinaj: Në Telekom ka punësime pa kritere - VIDEO

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj ka pohuar se në Telekomin e Kosovës ka të punësuar pa kritere.

Poashtu, Haradinaj për punësimet në Postën e Kosovës ka fajësuar Partinë Demokratike, pasi sipas tij drejtori i Postës tashmë është kanidat për deputet nga radhët e kësaj partie.

“Keni të drejtë, në Telekom ka punësime pa kritere, mund të duken ashtu, nuk e mohoj këtë. Në Telekom ka punësime që mund te duken që nuk janë bërë në bazë të kriterit nip e dajë, nashta e kanë kry ndonjë shkollë dhe janë profesionist. Ju po flisni me gjasë për Telekomin dhe jo për Postën sepse drejtori i Postës tashmë është kandidat për deputet nga PDK, Sejdi Hoxha, e dini ju. Kur më keni thënë që Aleanca dhe Ramushi po punëson, po del që drejtori i Postës është kandidat i PDK-së. I kemi largu të gjitha kontratat e dëmshme që mos me bankrotu Telekomi dhe tashmë është ende funksional”, ka thënë Haradinaj.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë vitit 2018 në Telekomin e Kosovës janë punësuar 178 persona për punë dhe detyra specifike pa shpallur fare konkurs publik.

Sipas Ligjit të punës kërkohet që “Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”.

Arsyeja e angazhimeve të tilla ishte se kompania, nuk e kishte konsideruar si të nevojshme shpalljen e konkursit publik për angazhimin e punonjësve për punë dhe detyra specifike.

Sipas Auditorit, angazhimi i punonjësve për punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta të punës pa respektuar parimet bazë për një proces fer, transparent dhe konkurrues , përveç që mund të mos jetë në harmoni me obligimet ligjore, rritë rrezikun e angazhimit të personave jo të duhur në pozitat e caktuara.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partite, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse.

Të ftuar në debat janë: Ramush Haradinaj, Besnik Tahiri, Selim Selimi, Besa Luzha, Pranvera Ejupi Hajzeraj, Anton Berishaj, Shqipe Pantina, Driton Çaushi, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shyqiri Bytyqi.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.