Haradinaj në Drenas premton ndërtimin e stadiumit nacional

Koalicioni AAK-PSD ka mbajtur tubimin elektoral të radhës në qytetin e Drenasit.

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga radhët e këtij koalicioni, Ramush Haradinaj kërkoi votën e qytetarëve të asaj zone.

“Unë e di sakrificën e Drenasit dhe Drenicës, asnjë projekt që ka ardhur në qeveri nga kjo trevë është kthyer me po. Projekti jonë i ri si ai dikur i lirisë është 100 për qind shtet. Bashkëluftëtarë në vijë të frontit i kam kandidatët për deputetë. Nuk kam ardhë në Drenicë veç për fjalë, por çkado që merremi vesh – me zbatu”, tha Haradinaj.

Ai premtoi ndërtimin e stadiumit nacional në Drenas.

“Stadiumi nacional do të ndërtohet, ai është në territor të juaj. Kemi edhe sistemin e ujitjes. Rruga do të zgjerohet, prej Komoranit deri në Skenderaj, do të kryhet. Pagat çdo fillim vit do të rriten për 10 për qind. Edhe shtesat për fëmijë varësisht prej modelit do të bëjmë kalkulim financiar”, u shpreh Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i degës së AAK-së në Drenas, Beqir Kiqina ka kërkuar nga qytetarët e Drenasit të votojnë për programin e tyre.

“Bashkë do të punojmë për vendin, nuk do të lejojmë ndarje dhe copëtim. Ju lus të gjithëve që edhe sa na kanë mbetur të bashkohemi të gjithë dhe të fitojmë me 6 tetor”, tha ai duke përmendur formimin e ushtrisë dhe vendosjen e taksës doganore ndaj Serbisë e Bosnje e Hercegovinës.

Kurse, kandidati për deputet nga ky koalicion, njëherësh ministër në detyrë i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tha se Kosova aktualisht ka shumë sfida si dhe premtoi perspektivë për të rinjtë.

“Këto zgjedhje ne duhet t’i fitojmë, jo vetëm më mënyrë që të realizojmë programin tonë por kjo fitore na duhet për 100 për qind shtet.  Kosova sot ka shumë sfida por me përkrahjen  juaj ne do t’ia dalim se kemi dijen  dhe dimë të përballojmë çfarëdo sfide. Drenasi si dhe tërë Kosova pret që të kemi një pushtet të përgjegjshëm, lidership të fortë dhe përgjegjësi programore dhe këtë mund ta gjeni te lista fituese AAK-PSD”, tha ai.

“Kemi punë për të bërë që nga çerdhet deri te kushtet për pleqërinë e pensionistëve. Ne po vijmë që ta bëjmë shërbimin shëndetësinë, sigurinë dhe zhvillimin ekonomik”, tha Bytyqi.